Lajme

Ri-nis takimi Kurti-Vuçiç, ka ngërç në dialog


Albin Kurti, Miroslav Lajçak, Josep Borrell dhe Aleksandër Vuçiç

(Ky tekst është i përditësuar)

Takimi i parë trelateral pas rreth 1 orësh negociata mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kishte përfunduar rreth më pak se 30 minuta më parë.

Pas një pauze të shkurtër, takimi mes Kurtit, dhe Vuçiç’it, ka rifilluar përsëri dhe po vazhdon në të njëjtin intensitet.

Albanian Post nga burime diplomatike ka kuptuar se brenda takimit Kurti – Vuçiç ka pasur një ngërç rreth dokumentit të propozuar si aneks për implementim e marrëveshjes së arritur më 27 shkurt për normalizim të raporteve.

Siç kupton Albanian Post, draft dokumenti i prezantuar nga ndërmjetësuesit ka pësuar ndryshime që kanë prekur të dyja palët.

Gjatë takimit ka pasur ngecje dhe dallime në disa momente të pakalueshme mes Kurtit dhe Vuçiç’it.

Temë diskutimi mes palëve ishte plani i zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, pritet të mbajë një konferencë për media, siç rëndom ndodhë, ku do të deklarohet për ecurinë e takimit.

Ndërkohë besohet se do të ketë edhe adresim për media edhe nga ana e Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it.

Interesimi i madh i mediave për deklarimet pas përfundimit të takimit trepalësh

Takimi trepalësh ishte paraparë të fillojë në orën 13:30, por ka nisur me afro dy orë vonesë.

Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media.

Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.

Megjithatë ai ka bërë të ditur se nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, prandaj do të ketë bisedime për këtë çështje.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje”.

“Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka shtuar ai.

“Gjithqysh” do ketë zhvillime pozitive, thotë Kurti në Ohër

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Esocbar, i cili po merr pjesë në takimet e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit.

Pritja e ShBA-ve nga takimi i sotëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është finalizimi i planit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Ky takim sipas diplomatit amerikan është një mundësi për t’i lënë mbrapa ngjarjet e viteve të 90’ta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për rajonin në tërësi.

Në këtë fazë ka theksuar Escobar më e rëndësishme është finalizimi i aneksit sesa fokusimi te nënshkrimi i Marrëveshjes.

Escobar: Jemi të fokusuar te finalizimi i marrëveshjes, jo te nënshkrimi

Propozimi franko-gjerman mbi të cilin u dizajnua kjo Marrëveshje është formuluar sipas parimit “askush fitues, askush humbës” meqë propozimi detyron palët, në këtë rast, Kosovën dhe Serbinë, të fitojnë diçka në këmbim të humbjes së diçkaje tjetër.

Dokumenti i përbërë prej 11 nenesh – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të Marrëveshjes thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Marrëveshja, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Qeveria e Kosovës është/ishte kategorikisht kundër.

Ujdia parasheh gjithashtu edhe përkushtimin e palëve për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Thënë ndryshe Kosova me disa dispozita të marrëveshjes fiton e me disa humbë. I njëjti parim vlen edhe për Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore