Shqipëria

Ri (Lindja) e “Rama 3”


Mes figurash të reja dhe të vjetra të politikës, mëngjesi i 2 shtatorit e gjeti Shqipërinë përballë prezantimit të kabinetit të ri qeverisës “Rama 3”.

Nga Asambleja e Përgjithshme e Partisë Socialiste, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli kabinetin e ri qeverisës. Ai ka shqiptuar plot 16 emra – 12 gra dhe katër burra.

Për Albanian Post, analisti Aleksandër Çipa thotë se, “kryeministri nuk ka ndryshuar strukturën e kabinetit, por ka tentuar të krijojë një ekuilibër brenda përfaqësimit të grupeve në Partinë Socialiste. Për këtë arsye, ai është kthyer në modelin e kabineteve me më tepër ministra”.

Sipas Çipës, krijimi i ministrive vjen për shkak të koalicioneve partiake – qeveria e mëparshme 18 mandate ministrore e kishte jetike të krijonte një përfaqësim me aleatët – ndërsa Rama për mandatin e tretë qeverisës me vetveten në pikëpamjen partiake.

Një arsye tjetër, pse kjo qeveri nuk pati ndryshime të mëdha, ravijëzon Çipa, është se, “Rama u hoqi mundësinë kundërshtarëve për ta konsideruar si një reflektim, për shkak të presionit apo akuzave”.

Të njëjtin mendim ndan dhe analisti Skënder Minxhozi. Qeverinë e re, ai e quan vazhdimësi të kaluarës.

“Mund ta quaj një qeveri që pati më pak ndryshime seç pritej, u rikonfirmuan ata që konsiderohen si më të suksesshmit e zgjedhjeve të fundit”, duke vijuar se, “Rama edhe njëherë zgjodhi ata që i konsideron më besnikët”.

Për analistin Frrok Çupi, kjo qeveri u krijua mbi bazën e tre kolonave: kontributet e mëdha në punët e mëdha, lidhja me aleatët perëndimorë dhe mbi mirëbesimin.

Gazetari Andi Bushati, në një analizë të publikuar në median e tij, ka një tjetër linjë mendimi. Ai e ka cilësuar të gjithë situatën e krijuar si një, “mandat i ri, gjellë e vjetër”.

Bushati ka theksuar faktin se, “largimet, si Etilda Gjonaj nga Ministria e Drejtësisë –  e zëvendësuar nga Ulsi Manja – dhe Anila Denaj nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave mund të përbëjnë surprizë”, duke thënë se, “qeveria e re e Rilindjes mbetet sërish skuadra e lakejve”.

Sipas tij, opozita dhe qeveria nuk kanë risjellë asgjë të re në këtë sezon politik.

Pesha politike e kabinetit qeverisës

Aleksandër Çipa thotë se shtimi i ministrive “pa portofol” dhe i dy ministrive të reja, sipas tij, janë, “një tendencë e dëshmuar edhe në dy kabinetet e mëparshme ‘Rama 1’ dhe ‘2’, që e  konsideron si një pjesë të politikë-bërjes promovimin e figurave të reja politike”.

Në një bilanc me “Rama 2”, numerikisht e pati më të shumtë prezencën e ministrave të rinj, të cilët nuk vinin nga një karrierë dhe “background” i njohur politik.

Ndërkohë, në mandatin e qeverisë “Rama 3”, Çipa thotë se, “duket që ndjek një politikë të promovimit, nga ana tjetër të rikthimit – kam parasysh Mirela Kumbaron – si dhe promovimin e ministrave të rinj që janë figura të reja”.

Këto të fundit, sipas tij, duket që janë të paralajmëruara si të tillë – në rastin konkret Ministria e  Bujqësisë dhe ajo e Ekonomisë dhe Financës.

Nga ana tjetër, Frrok Çupi thotë se ministrat e rikonfirmuar, “rasti i Ogerta Manastirliut, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë’, për të, të dyja janë përballur me betejat më të mëdha të këtij shekulli, “pandeminë dhe tërmetin”.

Sa u përket Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me në krye Olta Xhaçkën, dhe asaj të Brendshme, Bledi Çuçi, thekson Çupi, “të dyja këto kanë zemërakun e shtetit dhe lidhjen me aleatet perëndimore”.

Rikthimin e Mirela Kumbaros në kabinetin qeverisës, Çupi e kritikon. Së bashku me Milva Ekonomin dhe Arben Ahmetaj, ai i sheh si figura që vazhdojnë në jetën politike falë “mëshirës së kryeministrit”.

“Ekonomi, edhe pse një eksperte e njohur dhe njeri ‘nobel’, prej kohësh ka manifestuar lodhje në qeverisje. Ndërsa Kumbaro është një ministre e dështuar në kulturë. A mund të mos dështojë në turizëm? Me siguri, po aq e dështuar do të jetë. Aq sa nuk ishte e kulturuar për Kulturën, aq edhe nuk është turiste për Turizmin”.

Analisti Minxhozi, “ministrat e rinj” i cilëson si “figura publike që u duhet dhënë shansi të provohen se çfarë dinë të bëjnë”.

Megjithatë, ai thotë se, “kjo lloj peshe e kabinetit është një element i kërkuar nga Rama, sepse ai mendon se tashmë ministrat edhe duhen, edhe s’duhen”.

Kryesia e kujt?

Skënder Minxhozi, shpërndarjen e pushtetit në duart e grave, e sheh si më të madhën numerikisht në krahasim me qeverinë e kaluar.

“Qeveria në brendësi të saj, në themel të saj ka një ‘diskriminim pozitiv’ – siç quhet në këto raste – ku niveli i zonjave e tejkalon atë të zotërinjve dukshëm”.

Madje, sipas tij, “dukshëm gratë kanë marrë në dorë zotërimin e disa ministrive më me peshë në vend, siç është ajo e Ekonomisë dhe Financës, Infrastruktura dhe Energjia”.

Ndërsa Çipa mendon se “edhe në këtë mandat, ndarja ka ardhur në bazë të peshës së Ministrive përkatëse”.

Ai thekson faktin se më të rëndësishmet janë në duart e burrave. Kjo e fundit, për faktin se, “është sindroma e shoqërisë shqiptare e tillë”.

“Ministritë që drejtohen nga burrat janë ministri që kanë një autoritet shumë të rëndësishëm për sa i përket mbi shoqërinë dhe në mënyrë të veçantë mbi institucionalizimin”.

Në përfundim, “institucionalizimi shqiptar, ende nuk e ka fituar betejën me barazinë gjinore. Në rastin konkret nuk bën përjashtim as vetë kabineti qeverisës”.

Teksa dyshimet mbi kabinetin e ri u shuan, ndryshimet nuk ishin ato që priteshin nga Rama.

Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, Partia Socialiste do ta udhëheqë vendin në mandatin e tretë qeverisës radhazi.

Qeveria “Rama 3 pritet të dekretohet zyrtarisht nga presidenti dhe të nisë punën më 10 shtator – datë që përkon me fillimin e Legjislaturës së Re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore