Lajme

Rhode: Është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimet për Asociacionin


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur vendimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, i cili ka konfirmuar se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe në Kosovë.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Rohde e ka cilësuar këtë vendim të drejt, pasi sipas tij do të dërgojë përpara në diskutime.

“Jam plotësisht dakord: Është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin. Është mirë të dëgjosh se ministri i Kosovës Nenad Rashiç ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar më 31 janar në Ambasadën Amerikane në Prishtinë”, ka shkruar Rhode.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.

Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar kishte thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.

Rashiç, ka bërë të ditur ndër të tjera se, ai dhe të tjerë në Qeverinë e Kosovës po përpiqen që çështjen e Asociacionit ta vendosin para kryeministrit Kurti si çështje teknike dhe jo politike.

“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke mos bërë asgjë. Nuk i kemi bashkuar ato dy dokumente [marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015] ose, thënë më mirë, [nuk kemi paraqitur] ndonjë opsion të dytë ose të tretë përmes punës në nivel teknik”, kishte thënë Rashiç për Radio Evropën e Lirë.

Sipas tij, janë dy elemente të kontestueshme në lidhje me formimin e Asociacionit – emri dhe statusi juridik.

Në pikën e dytë të Marrëveshjes së vitit 2015, sipas Rashiç, shkruan se Asociacioni do të harmonizohet me Kushtetutën e Kosovës, për këtë arsye, shton Rashiç, “nuk ka ndonjë problem juridiko-teknik rreth formimit të tij”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të hartojë një dokument, që do t’i përmbushte obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte në përputhje me ligjet e Kosovës.

Ministri Rashiç kishte shtuar se, aktualisht, nuk ka informacione për planet e SHBA-së rreth hapave të ardhshëm për formimin e Asociacionit, por “nëse ndodh që ka diçka që ofron mekanizma më të fortë, garanci për asociacionet, natyrisht se do ta konsiderojmë dhe do të kontribuojmë në mënyrë të përgjegjshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore