Lajme

Rezervës shtetërore të Kosovës i shtohen 10 milionë euro


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën është miratuar propozim-vendimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati, që rezervat shtetërore të përfshihen në Pakon e Ringjalljes Ekonomike si masa 3.8.

Sipas Muratit, kjo po bëhet për shkak të luhatjes së çmimeve në tregjet globale. Qeveria gjithashtu miratoi edhe kërkesën e Muratit për ndarjen e 10 milionë eurove për rezervën shtetërore.

“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë është programi për rezervat shtetërore, mirëpo marrë parasysh ndryshimet e situatës dhe gjendjen në tregjet globale sa i përket çmimeve dhe luhatjes së tyre e kemi parë të nevojshme që në kuadër të Pakos të Ringjalljes Ekonomike të shtojmë edhe një masë, masën 3.8, që ka të bëjë me rritjen e rezervave shtetërore”, tha Murati.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se së shpejti do të dalë me propozimin për nivelin e pagës minimale.

Ai ka bërë të ditur se “rritja e pagës minimale do të bëhet me qëllim që njerëzve t’u mundësohet jetë më e dinjitetshme”.

Po ashtu, me projektligjin e përgatitur sipas tij do të evitohen pasiguritë ligjore ekzistuese.

Sa i përket punësimit, Kurti është shprehur se ka marrë vendim që obligon administratën shtetërore që këtë vit të plotësojë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.

“Lidhur me punësimin sot kam marrë vendim që obligon organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Organet e administratës obligohen që të ndërmarrin veprime për të siguruar qasjen në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara në pajtim me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara”.

“Vendimi ka hyrë në fuqi sot, ndërsa angazhimi jonë i përbashkët në përmbushje të këtij obligimi vazhdon çdo ditë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ekzekutivi, gjatë mbledhjes së mërkurës po ashtu ka përcjellur për në Kuvend emrat e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Kryeministri Albin Kurti, e ka vlerësuar si organ shumë të rëndësishëm, teksa ka prezantuar dy emrat e anëtarëve për këtë komision.

“Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli janë emrat e propozuar për dy anëtarë të KRPP-së”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, shtoi se sipas tij të dy kandidatët i plotësojnë kriteret.

Ndryshe, paga minimale në vend ka kohë që është 130 deri 170 euro.

Ministria e Financave është në finalizim të projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur.

Sindikatat kërkojnë që rritja të bëhet në pragun prej 350 eurove, teksa Qeveria nuk ka përmendur një shumë të tillë.

Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore