Shqipëria

“Revolucioni vijon i pamposhtur”, mbyllet protesta e opozitës jashtë Kuvendit


Pas dy orësh është përmbyllur protesta e radhës opozitare jashtë ambienteve të Kuvendit.

Të pranishëm ishin disa qindra protestues, të cilët iu përgjigjën thirrjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të protestuar në çdo seancë plenare.

Vetë Berisha theksoi në përmbyllje se “revolucioni vijon i pamposhtur” dhe se ato do të vijojnë “deri në largimin e Ramës”.

Protesta e radhës e opozitës është paralajmëruar më 3 mars në orën 12:00.

Ish-kryeministri e cilësoi fillimisht protestën e së enjtes “një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës, e cila shkelmohet nga banditët”.

“Na mohojnë të drejtën kushtetuese të komisioneve hetimore, ku do të dalin më të zinj se zifti. A mund të pranojmë ne, a mund të pranoni ju, a mund të pranojnë qytetarët shqiptarët mohimin e kësaj të drejte?”, u shpreh ai.

Ai iu drejtua protestuesve duke i konsideruar si “zëri i vërtetë i çdo shqiptari kudo ndodhet”.

“28 burra dhe gra të votuar nga zgjedhësit shqiptarë gjykojnë se duhet të hetojnë, duhet të sjellin para zgjedhësve të tyre të vërtetën mbi këtë çështje kurse trafikantë dhe kukulla pa asnjë dinjitet njerëzor të Edi Ramës bllokojnë këtë të drejtë të deputetëve të opozitës”, shtoi Berisha.

Kryedemokrati solli në vëmendje se presidenti amerikan kishte realizuar gjithsej me Air Force 1 – 40 fluturime, ndërsa Edi Rama, 137 fluturime me avion.

I pranishëm në protestë ishte dhe ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht kreu i Partisë së Lirisë.

“Unë vij nga Partia Socialiste. Edhe socialistët apo ish-socialistët e dinë shumë mirë. Duhet t’u them një histori se si shpjegohet që u katandis ky parlament, që përjashtohet prof. Edmond Spaho, prof. Tritan Shehu, që përjashtohen tërë ato gra e deputetë të nderuar për një fjalë goje, po sepse ai është në një gjendje shumë të rëndë, por edhe sepse e ka shuar edhe atë PS që ekzistonte, e ka uzurpuar, e ka fshirë dhe prandaj Shqipëria sot vuan nga kartonokracia”, theksoi Meta.

Sipas tij, Rama do të ikë njëherë e përgjithmonë, “së bashku me sektin e tij që i ka bërë dëme këtij vendi më shumë se çdo pushtues i huaj”.

“Ka pasur pushtues që kanë lënë disa vepra të mira në këtë vend, por ky sekt bastardësh vetëm dëme i ka bërë vendit tonë, shtetit dhe interesit tonë kombëtar”, shtoi kreu i PL-së.

Më herët, Byroja e Kuvendit la në fuqi vendimin e sekretariatit për përjashtimin e gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike.

Bëhet fjalë për deputetët Elda Hoti, Sorina Koti, Lindita Metaliaj, Greta Bardeli, Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi.

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë tentuar të hyjnë së bashku me të përjashtuarit në mbledhjen e Byrosë, por janë ndaluar nga punonjësit e Gardës së Parlamentit.

Ata kanë ankimuar vendimin e përjashtimit të tyre nga Komisioni i Etikës, duke kërkuar pezullimin e tij.

“Me një vendim fashist mazhoranca e Ramës përjashtoi deputetët e Kuvendit nga pjesëmarrja në seancë dhe komisione”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Sipas tij, ky vendim është në vazhdën e përjashtimeve të tre seancave të fundit.

Deputetët, shtoi ai, janë përjashtuar sepse kërkojnë një të drejtë kushtetuese, kontrollin e qeverisë.

“Kemi kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar skandalin më të paprecedentë, ku kryeministri përmes korruptimit të McGonigal synoi të shkatërronte demokracinë duke goditur opozitën”, theksoi përfaqësuesi demokrat.

Në 25 ditët e fundit, nga seancat plenare janë përjashtuar mbi 20 deputetë demokratë. Kjo, me kërkesë të socialistëve pasi sipas tyre është shkelur etika plenare.

Të parët në nisjen e valës së përjashtimeve ishin kryedemokrati Sali Berisha dhe katër deputetët Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi.

Përjashtimi i tyre erdhi pasi ata bllokuan foltoren dhe punimet e Kuvendit.

Dhe dy seanca më pas, saga vazhdoi. Kësaj here, u rrit edhe numri i të përjashtuarve.

Bëhej fjalë për tetë deputetë demokratë: Luçiano Boçin, Albana Vokshin, Ervin Salianjin, Ina Zhupën, Luan Baçin, Tritan Shehun, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbatin.

Akuza mbetej e njëjtë me paraardhësit duke shtuar edhe një tjetër: penguan zhvillimet në Kuvend dhe ofenduan kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Kështu, numri i të përjashtuarve kapi shifrën 12. Për të mos e lënë me kaq, një javë më parë Berishës, Nokës, Këlliçit dhe Palokës iu konfirmua sërish përjashtimi.

Të martën e 21 shkurtit, gati gjysma e deputetëve demokratë mbeti jashtë Kuvendit. Përjashtimi u vendos edhe për gjashtë të tjerë.

Arsyet e përjashtimit janë të ndryshme, ashtu si edhe ditët e përjashtimit.

Më e “veçanta” është për Spahon. Kjo, pasi në shenjë proteste për mospranimin e kërkesave të opozitës mbi formimin e një komisioni hetimor për McGonigal, ai i ra bilbilit për disa orë me radhë.

Më 27 janar, para se seanca të niste, 16 deputetë nga grupi i Berishës kërkuan që të ndryshohet rendi i ditës dhe të futej në diskutim takimi i kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, në praninë e Agron Nezës, person i cili akuzohet se i ka dhënë McGonigal 225 mijë euro dhe nuk i ka deklaruar.

Por kërkesa u rrëzua nga votat e mazhorancës.

Pas kësaj, deputetët e Berishës krijuan kaos duke përplasur duart mbi tavolinë teksa ish-kryeministri nuk pranoi të largohej nga foltorja pavarësisht paralajmërimit.

Pas kësaj, opozita ka shtrirë aksionin jashtë dyerve të parlamentit. Së bashku me aleatin politik, Ilir Metën kanë zhvilluar protestë kombëtare. Ndërsa, në dy seanca radhazi ata kanë protestuar jashtë dyerve të Parlamentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore