Art&dizajn

Revista britanike promovon ekspozitën e Petrit Halilajt


Petrit Halilaj - Artist

Revista britanike “Inyourarea.co.uk” ka publikuar një artikull kushtuar ekspozitës së parë në Mbretërinë e Bashkuar të artistit kosovar, Petrit Halilaj.

E përditshmja britanike e ka quajtur Halilajn “artist të njohur ndërkombëtarisht”, ndërkohë që ka paralajmëruar ekspozitën e tij e cila do të mbahet në Cornwall.

“Petriti, i cili ka lindur në Kostërrc në vitin 1986, është i njohur ndërkombëtarisht për artet e tij shtrirë, shpesh duke përdorur biografinë e tij për të reflektuar në historitë private dhe kolektive në transformim të vazhdueshëm”, ka shkruar gazetari Olivier Vergnault në artikullin e tij.

Madje, performancën e artistit kosovar e kanë cilësuar si “vullkanike”.

“Shumë vullkanike dhe mbi një pendë të gjelbër do të jetë shfaqja e parë në Mbretërinë e Bashkuar e artistit kosovar Petrit Halilaj dhe do të zhvillohet në Tate St Ives gjatë vjeshtës dhe dimrit”, thuhet më tej.

Vergnault e ka përshkruar si të thellë lidhjen e Petritit me historinë e fundit të Kosovës,  teksa ka thënë se angazhimi i tij artistik përfshin materiale nga vendi i lindjes dhe ri-përpunime përmes instalimit, performancës, tekstileve, vizatimit dhe videos. Puna e tij eksploron çështje që lidhen me kujtesën individuale dhe identitetin kulturor.

Artikulli po ashtu përfshin historinë e jetës së Petrit Halilajt, ndërsa thuhet se ai ishte – “I zhvendosur nga Lufta e Kosovës si 13 vjeçar dhe bashkë me familjen e tij jetuan në kampet e refugjatëve në Kukës dhe Lezhe-Shëngjin”.

“Fotografitë origjinale u krijuan nën drejtimin e psikologut italian Giacomo ‘Angelo’ Poli, i cili po merrte pjesë në një mision humanitar në kampin e refugjatëve”.

“Në një periudhë prej 15 ditësh, Petriti krijoi 38 vizatime, të gjitha janë ruajtur nga mentori i tij italian deri më sot. Pas largimit të Anxhelos, Petriti vazhdoi të krijonte vizatime të përvojave të tij, njërën prej të cilave ia tregoi Kofi Annan, asokohe Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, kur vizitoi Shqipërinë”, shkruan gazetari Oliver.

Brenda shkrimit të publikuar në magazinën britanike thuhet se një hapësirë ​​e galerisë do të ofrojë informata shtesë rreth Luftës së Kosovës dhe konteksteve politike dhe shoqërore të cilat vazhdojnë të ndikojnë në vend dhe shoqërinë kosovare”.

Ekspozita do të zhvillohet nga tetori i këtij viti deri më 16 janar të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore