Shqipëria

Reuters: Lufta për pushtet mes rivalëve të partisë opozitare


Ngjarja e 8 janarit pranë godinës së Partisë Demokratike ka marrë vëmendjen edhe të mediave të huaja.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, e ka cilësuar atë si një luftë e thelluar për pushtet mes rivalëve të partisë opozitare.

Nuk janë devijuar as përshkrimet e skenave të kësaj të shtune.

“Policia hodhi gaz lotsjellës teksa protestuesit që gjuanin me gurë hynë në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në opozitë”, shkruan “Reuters”.

Gjithashtu “mbështetësit e Berishës përdorën çekiç për të thyer dyert e reja metalike të sigurisë të instaluara në zyra dhe ngritën shkallë në një përpjekje për të arritur në katin e dytë”.

Nuk ka munguar as raportimi, nën citimin e policisë, se ngjarja la të plagosur një oficer policie dhe një protestues dhe dhjetëra të tjerë të arrestuar.

Dhe se protestës i erdhi fundi me shpërndarjen e protestuesve.

Agjencia tregon se ata ishin mbështetës të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u përjashtua nga partia vitin e kaluar pasi Washington-i e ndaloi atë të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi dyshimet për korrupsion.

Kështu që, Berisha, “që atëherë ka ngritur një sfidë lidershipi kundër kreut të partisë Lulzim Basha”.

Ndërkaq, “Reuters” e ka përmbyllur shkrimin me thirrjet e Zyrës së BE-së në Tiranë dhe ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri për qetësimin e situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore