Kosova

Retorika e Luftës dhe vajtimi shekullor i Vuçiç – a jemi pranë një konflikti të armatosur?


Foto nga Albanian Post

Dy ish-komandantë lufte dhe një ish-drejtor policie shpjegojnë për Albanian Post, se çfarë po shohim, kur po e shohim Vuçiç-in tek ankohet për sulm potencial në Veri. Derisa Kurti vazhdon me retorikën e luftës gjithandej.

Situata në terren ka pasur raste kur ka qenë më e rënduar dhe tensionet më të ngritura (kujto 2004), por deklarata kaq të shpeshta për shpërthim të një konflikti nga liderët e Kosovës e Serbisë asnjëherë nuk ka pasur sa tani.

Edhe për nga agresiviteti i tyre edhe për nga shpeshtësia e deklarimeve Kurti e Vuçiç, nga anë të ndryshime, po akuzojnë për përshkallëzim të situatës deri në një konflikt të armatosur.

Çështja, si gjithmonë, është Veriu i Kosovës, pjesa e banuar me shtetas kosovarë serbë.

Kurti në prononcimet e tij për mediat e huaja, të fundit për Reuters, përtej se tha që ka rrezik përshkallëzimi ka folur edhe për kapacitetin mbrojtës të Kosovës në një situatë të tillë, të cilën e deklaron si të padëshirueshme, porse të mundshme.

“Kosova është e gatshme të përballojë një sulm të mundshëm nga Serbia kur gjendja me minoritetin serb në veri mund të përshkallëzohet në një konflikt të aramtosur”, i tha ai gazetarit të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.

Bazuar nga retorika në Beograd, kryeministri i Kosovës shton se “s’mund ta përjashtojmë se këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë ose tjetrën”.

Paralajmërimi i Kurtit nuk është i dhënë krejt në ajër. Vetëm ditëve të fundit ka pasur disa raste kur policët e Kosovës janë sulmuar me armë zjarri në Veri të vendit.

Edhe barrikadat që u vendosën si kundërshtim kur Kosova provoi reciprocitetin me Serbinë, nuk erdhën si revoltë popullore, por si organizim i strukturave paralele.

Dëshmitarët okularë kanë treguar se kanë parë njerëz të unfiormuar.

Veshjet thanë se ishin pa simbole, por të njëjta, ngjyrë të zezë.

Në anën tjetër, serbët në Kosovë asnjëherë nuk janë sulmuar nga qeveritë e Kosovës, përveç aksioneve policore që kanë të bëjnë me arrestimin e personave që u takojnë grupeve të ndryshme kriminale në Veri.

Por, Vuçiç në një konferencë për media, të mbajtur enkas për çështjen e veriut, ka deklaruar se nuk është Serbia që po dëshiron ta sulmojë Kosovën, por “Prishtina është ajo që po dëshiron të sulmojë Veriun”.

Ka shkuar dhe më larg, duke përmendur vrasje, sikur në momentin që tha se “unë po i kërkoj (Kosovës) që të mos planifikojnë arrestimin dhe vrasjen e askujt”.

Por, për anëtarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rashit Qalaj, “asgjë e re nga Vuçiç”.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës thotë për Albanian Post se Vuçiç është në rolin e tij të përhershëm “gjithmonë duke luajtur rolin e viktimës, gjithmonë duke u munduar që para faktorit ndërkombëtar ta paraqes veten si një njeri dhe lider i mirë, konstruktiv dhe gjithmonë duke akuzuar palën kosovare për gjoja mos implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”.

Qalaj qëllimin e Vuçiç e ka të qartë, është “përhapje paniku në komunat veriore dhe indirekt duke iu bërë thirrje serbëve në veri për rezistencë”.

Çfarë do në të ardhmen Vuçiç, Qalaj e gjen në të kaluarën.

Rashit Qalaj

“Serbët janë të njohur për inskenime të ndryshme prandaj institucionet e sigurisë së Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme”.

Këtë “politikë shekullore” Serbisë thotë se ia njeh edhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani deputet në listën e Vetëvendosjes, Fatmir Humolli.

Edhe ai është pjesë e të njëjtit komision parlamentar si Qalaj dhe po si kolegu i tij, thotë për Albanian Post se “Serbia gjithmonë pranë të fortit ka vajtuar dhe ka kërkuar mëshirë, ndërsa të dobëtin e ka poshtëruar dhe ka punuar ta shkatërrojë”.

“Kjo politikë me shekuj është e njëjtë edhe në shekullin 21 është e njëjtë, por vetëm rrethanat kanë ndryshuar”.

Fatmir Humolli

 

Sipas Humollit, në këtë prononcim për AP-në, “vajtimi i Vuçiç-it është edhe një ankesë ndaj evropianëve se pse na keni ngarkuar me një barrë të rëndë e tani s’po na ndihmoni por, edhe një vajtim publik që populli serb të pajtohet se ka marrë fund ndihma nga perëndimi për ta”.

Por, s’është ky krejt qëllimi i Vuçiç me këto “vajtime”, siç i quan Humolli.

Për Anton Qunin, ish-ministër i Mbrojtës së Kosovës, tendenca është edhe për të terrorizuar qytetarët serbë të Kosovës, si mënyrë kjo për t’i kontrolluar më lehtë.

“Në vazhdën e arritjes së objektivave politike të Beogradit, nga ana e Vuçiçit dhe bashkëpunëtorëve te tij, qytetarët serbë të Kosovës, frikësohen me deklarata të tilla me qëllim që t’i qëndrojnë luajalë dhe të ndjehen të sigurt vetëm nën mbikëqyrjen e tij”, thotë Quni për Albanian Post.

“Tani më është e njohur se çdo veprim institucional të organizatave dhe agjencioneve të Kosovës që sigurojnë sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, nga ana e autoriteteve të Beogradit prezantohet si kërcënim dhe sulm ndaj komunitetit serb”.

Madje, kjo ndodhë, thotë Quni për AP, “edhe kur janë në pyetje neutralizimi i grupeve kriminale”.

“Vuçiç i merr në mbrojtje drejtuesit e tyre, pasi që të njëjtit i shërbejnë për t’i terrorizuar banorët serbë në Kosovë dhe po ashtu sigurojnë të hyra të majme financiare”.

Anton Quni

E gjithë kjo situatë është krijuar në kohën kur Kurti e Vuçiç do takohen në Bruksel për të negociuar. Për shkak të tensioneve dhe kontekstit ky është një nga takimet më të pritura prej kohësh që ndërmjetësohej nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një prononcim për Albanian Post, nuk pranojë të komentojë temat e takimit. Megjithatë, pohoi se deri me 18 gusht, për kur është paraparë ulja ballë për ballë, do të dalin me ndonjë detaje shtesë, së paku sa i përket agjendës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore