Kultura

Restaurohet xhamia “Mbret” në Berat


Një vlerë kulturore dhe fetare si  xhamia “Mbret” ka përfunduar restaurimin. E ndodhur në qendër të qytetit, si një kompleks arkitekturor, xhamia Mbret ose xhamia e Sulltanit është një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit e shpallur monument kulture që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të qendrës Islamike, dhe ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të. Në periudhën e mesjetës, xhamia Mbret së bashku me konakët e saj, shënjonin edhe qendrën e qytetit të vjetër të Beratit.

Projekti i restaurimit të xhamisë Mbret më herët u bë me dije se kishte si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti. Punimet restauruese të parashikuara konsistonin në konsolidimin strukturor të monumentit, restaurimin e çatisë, dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale. Konservimin dhe restaurimin e pikturës murale, restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj.

Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër stad, në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi, dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin e XV.

Restaurimi i këtij objekt kulti është një vlerë e shtuar gjithashtu dhe për turizmin, pasi këto vende tashmë janë kthyer në destionacione mjaft të pëlqyera nga turistët e huaj te cilet e pëlqejnë turizmin religjioz. Ata gjithashtu tregojnë vlerën e madhe të vendit tonë siç është toleranca fetare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore