Kultura

Restaurimi i xhamisë së Ethem Beut, nxjerr në pah vlerat e veçanta


Prej më shumë se dy vitesh xhamia e Ethem Beut është në proces restaurimi. Puna në këtë objekt monument kulture ishte një proces i gjatë në të cilën, specialistëve shqiptarë u erdhën në ndihmë edhe ata turq.

Mbi Xhaminë

Xhamia e Et’hem Beut, është një xhami historike dhe monument kulture në mes të Tiranës, e cila nisi të ndërtohej nga stërnipi i Sulejman Pashës, Molla Beu i Petrelës në shek 18-të dhe e përfundoi i biri, Haxhi Et’hem Beu në shek 19-të.

Arkitektura e saj është pjesë e turizmit kulturor në Tiranë dhe të impresionon me harqet, minarenë, dritaret e shumta, sallat e brendshme, kubenë, shkallët dhe fasadat e pikturuara hijshëm.

Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vëllim unik mbuluar me kupolë. Hyrja për në sallën e lutjeve është në anën veriore. Kupola është gjysëm sferike dhe pa dritare.

Punimet e drurit në sallat e brendshme të lutjeve janë të pasura në ornamente dhe forma gjeometrike të stilizuara mjaft mirë, duke reflektuar elegancë në të gjithë kompleksin e besimit islam.

Portiku, ose siç njihet ndryshe në dialektin e Shqipërisë së mesme hajati, është i shtruar me gurë që besohet se e kanë origjinën nga rrethinat malore të Tiranës.

Hapësira e këtij oborri të brendshëm lejon hyrjen në pjesët e tjera ku kryhen lutjet e besimtarëve. Gjatë orëve të mbrëmjes ndriçimi i dedikuar i xhamisë krijon harmoni ngjyrash dhe formash interesante në sheshin “Skënderbej”.

Me sy të lirë dallon se vizatimet e jashtme të xhamisë dominohen nga ngjyrat e ndezura të tokës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore