Shqipëria

Reshje intensive në Shqipëri dhe Kosovë, autoritetet në gatishmëri


Reshjet intensive të shiut në Shqipëri dhe Kosovë kanë vënë në gatishmëri që prej orëve të para të 20 nëntorit autoritetet respektive.

Kjo, pasi parashikohet një situatë hidrometerologjike e përkeqësuar prej së dielës e në ditët në vijim.

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile ngriti fillimisht alarmin për përmbytje në pesë qarqe të vendit.

Bëhet fjalë për qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas autoriteteve, reshjet intensive mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.

Kjo, duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike.

Ministria dhe agjencia i bënë thirrje gjithashtu pushtetit vendor që të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.

“Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence”, theksoi njoftimi zyrtar i institucionit.

Shqipëri

Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi më herët se reshjet me intensitet të cilat kanë përshkuar të gjithë vendin, nuk kanë bllokuar qarkullimin në akset kombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar, autoriteti bën me dije se ka pasur rënie të inerteve në trup të rrugës më të shpeshta në Rajonin Verior, dhe pemë të këptura, si në Vlorë-Orikum të cilat janë pastruar menjëherë.

“Në aksin Bajram Curri-Valbonë ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, qarkullimi për momentin kryhet me një korsi”, paralajmëron ARRSH-ja.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi zbuloi zonën ku janë shfaqur problematikat më të theksuara deri më tani pas reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin.

“Në bashkinë e Vaut të Dejës paraqitet situata më problematike, ka dalë lumi Gjadër nga shtrati dhe ka dëmtuar infrastrukturën rrugore përreth. Autoritetet janë përgatitur për të bërë evakuime në këtë zonë”, theksoi Peleshi.

Peleshi ka bërë me dije të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Në qarkun e Lezhës, në zonën Kurbin, është regjistruar rreth 15 mm shi, në Bregun e Matës, rreth 20 mm shi, në zonën e Zadrimës, rreth 130 mm shi (dhe ka përmbytje në zona të ulëta), ndërsa në ish-kënetën Torovicë janë përmbytur rreth 500 hektarë.

Në qarkun e Shkodrës është regjistruar 190 mm shi, ndërsa në Kukës rreth 14 mm shi në 24 orët e fundit.

Aty është ndërhyrë në një banesë në lagjen Ajasëm, ku është bërë evakuimi i familjes dhe te Xhamia e Plumbit.

Po ashtu, në njësinë administrative Bërdicë është bërë e mundur evakuimi i dy familjeve.

Në bashkinë Klos po punohet për zhbllokimin e rrugës që lidh fshatin Ketë me qendrën e njësisë administrative Xibër.

Bashkia e Fushë-Arrëzit ka një situatë gjithashtu problematike, pasi në rrugët rurale Qafë-Mali; Iballë; Blerim dhe Fierzë janë raportuar dëmtime dhe shkëputje të energjisë elektrike.

Ndërsa në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi i Thatë në fshatin Kamicë dhe uji ka depërtuar në dy banesa.

Deri më tani, garantoi zyrtari shqiptar, nuk ka situata serioze dhe autoritetet janë në gatishmëri.

Ministri i Mbrojtjes deklaroi se autoritetet kanë kryer në terren vetëm tre evakuime të lokalizuara në Malësinë e Madhe.

“Kemi pasur tre evakuime në Malësi të Madhe. Në Bërdicë forcat e armatosura për ndihmojmë banorët për të kaluar”, zbuloi ministri.

Sipas zyrtarit shqiptar, të gjitha bashkitë, të paktën ato në zonat me reshjet më intensive të këtyre ditëve, kanë bërë një punë shumë të mirë me kanalet kulluese.

Kosovë

Ministri i Mbrotjes në Republikën e Kosovës, Armend Mehaj garantoi nga ana tjetër se FSK-ja është duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.

“Pas reshjeve të mëdha që shkaktuan edhe vërshime në shumë pjesë të vendit, autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren”, shkruan fillimisht zyrtari kosovar.

Sipas tij, FSK-ja si çdoherë, në secilën situatë emergjente, “është e gatshme plotësisht, me të gjitha kapacitetet e saj në dispozicion”.

Kjo, që të realizojë detyrën ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve pa dallim.

Për shkak të motit të përkeqësuar në të gjithë territorin, janë regjistruar përmbytje në disa zona edhe në Kosovë.

Përmbytje janë regjistruar në Istog dhe Pejë, ndërsa në Junik raportohet se ka ndërprerje të ujit të pijshëm.

Reshjet e shiut po rrezikojnë gjithashtu daljen nga shtrati të tri kanaleve në qytetin e Pejës.

Situata aktualisht është e menaxhueshme dhe ekipet janë në gjendje gatishmërie.

Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi, deklaroi për mediat se për momentin situata në Pejë është nën kontroll.

Por janë disa vende ku situata është me keq, siç është kanali i Çokolicas, ku pretendohet se uji mund të dalë nga shtrati.

Zyrtari garantoi se ekipi i zjarrfikësve dhe ekipet tjera të komunës janë në gjendje gatishmërie për çdo situatë të tillë.

Gashi solli në vëmendje edhe lagjen “Fidanishte”, ku ekziston rreziku që uji të dalë nga shtrati.

Drejtori për Emergjenca dhe Shërbime Publike në Junik, Demokrat Ganijaj ka detajuar gjendjen në Junik.

“Prej mëngjesit jemi në terren me një kompani dhe ekipet emergjente. Kemi reshje të jashtëzakonshme shiu, është rritur shumë shtrati i lumit ‘Erenik’, në disa pjesë në lagjen ‘Berisha’ ka dalë edhe prej shtratit”, theksoi zyrtari.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se për shkak të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit është bërë i pamundur trajtimin i tij në Shkabaj.

Kjo, sepse uji është jashtë çdo standardi me të cilin mund të trajtohet në impiant.

Dëmet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë mbeten deri në këto momente vetëm materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore