Sport

Reschke tregon skepticizmin e Rummenigge-s për nënshkrimin e Kimmich-it


Michael Reschke, ish-drejtori teknik i Bayern Munich-ut, ka thënë se atij i është dashur shumë punë për të bindur Karl-Heinz Rummenigge-n për të nënshkruar me Joshua Kimmich-in në 2015.

Kimmich-i ishte i huazuar dy vite te Leipzig-u, por kartoni i tij i përktiste Stuttgart-it. Leipzig-u kërkoi nënshkrimin përfundimtar të talentit gjerman, por ndërhyrja e Bayern-it, bëri që ai të kalonte në Mynih, për shifrën e 8.5 milionë eurove.

Në fillim drejtuesi i Bayern-it, Rummenigge ishte skeptik për nënshkrimin e Kimmich-it, sipas Reschke-s.

“Kimmich-i ishte nënshkrimi i parë i madh për të cilin unë isha përgjegjës. Në Kampionatin Europian U19 në 2014, kishte një numër lojtarësh interesante, të tille si Nilas Stark-u, Julian Brandt-i dhe Levin Oztunali”, tha Reschke në podcastin “Meine Bayern Woche”

“Ne ishim veçanërisht të interesuar për Joshua Kimmich-in. Ai ishte qartësisht lojtari më i fortë dhe më interesant për mua në Kampionatin Europian”.

“Në bisedimet e kontratës me Stuttgart-in, (Jochen) Schneider-i (drejtori sportiv i Stuttgart-it në atë kohë) më tha se ata respektuan dëshirën e lojtarit, për të lëvizur në Mynih”.

“Rummenigge më tha: ‘Me gjithë respektin, ne e dimë sa e vlerëson lojtarin, por 10 milionë euro për dikë që nuk ka luajtur asnjë minutë në Bundesligë janë shumë para dhe jashtëzakonisht shumë për Bayern-in”.

“Unë i kam thenë Rummenigge-s se për një lojtar të ardhshëm të Kombëtares gjermane, i cili do të luajë një rol kryesor te Bayern Munich-u për vitet që do të vinin, nuk ishin shumë para”.

“Unë isha plotësisht i bindur se kishim për të nënshkruar këtë lojtar për Bayern Munich-un”.

Kimmich-i përfundoi duke u bashkuar me Bayern-in në korrik të 2015 dhe që nga ajo kohë ai ka bërë 254 paraqitje me bavarezët, duke realizuar 28 gola dhe 71 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore