Bota

Republikanët kundër shkarkimit të Trump


Një përpjekje e republikanit, Rand Paul, për të rrëzuar kërkesën e shkarkimit të ish-presidentit Donald Trump, u votua kundër nga dhoma e Senatit. Gjykimi për Trump-in do të shqyrtohet në mes shkurti. Pesë senatorë republikanë i dolën kundër kërkesës të kolegut të tyre. Kjo, është pasqyra e parë se si do të shkojë procesi ndaj ish-presidentit.

Duhen të paktën 17 vota republikanësh në Senat për të shkarkuar Trump-in. Me këtë provë force të shfaqur një ditë pas miratimit të shkarkimit nga Kongresi, numri i të djathtëve as nuk i afrohet kuotës minimale.

Paul, deklaroi se është e qartë që republikanët janë të bashkuar për këtë çështje. “45 nga ne votuan pro kërkesës. Kjo tregon se shkarkimi është i vdekur që në nisje”, shtoi ai.

Senatori republikan theksoi se vota e qartë pro, e 45 kolegëve të tij, se gjykimi është anti-kushtetues, jep pamjen e qartë se nuk mund të mendohet të arrihen votat për shkarkimin e Trump-it. “Kjo është një fitore e madhe për ne”, theksoi Paul. “Demokratët mund të na votojnë kundër sa të duan, por vota sot, tregon se gjykimi ndaj Trump-it fillon dhe mbaron këtu”.

Kush nga republikanët votoi kundër?

Ishin pesë republikanët, të cilët votuan kundër propozimit të Paul-it. më i spikaturi ndër ta, senatori Mitt Romney, ish kandidat për president i SHBA-së, i cili humbi betejën e tij përballë Barack Obama-s.

Kundër ishin edhe senatorja e Maine, Susan Collins, ajo e Alaska-s, Lisa Murkowski, Pat Toomey nga Pennsylvania dhe Ben Sasse nga Nebraska. Të pestë këta shfaqën vullnetin për të votuar për shkarkimin e Trump-it.

Pavarësisht kësaj, republikanët “rebelë”, kanë pranuar se qasja është e qartë. “Bëni përllogaritjet”, deklaroi Collins. “Mendoj se është thuajse e pamundur të dënohet presidenti Trump”.

Kjo nuk do të thotë, gjithsesi, që gjykimi ka mbaruar. Senati ka dy javë kohë për të parë hollësisht dokumentacionin e paraqitur nga Kongresi. Një material me arsyetimin e kërkesës për shkarkim, i është dërguar Senatit të martën e 26 janarit.

Kërkesa fillestare për shkarkimin e Donald Trump nga presidenca, erdhi menjëherë pas protestave në Capitol. Disa ligjvënës demokratë morën iniciativën për ta kaluar në votim në Kongres.

Me kërkesë të kreut të republikanëve në Senat, Mitch McConnell, u vendos që miratimi në Kongres të shtyhej për fundin e janarit. Në këtë mënyrë, Senati do të kishte kohë ta shqyrtonte imtësisht për dy javë artikullin.

Trump-i, pritet të dalë përpara senatorëve në gjysmën e dytë të shkurtit. Ai do të përfaqësohet nga avokati, Butch Bowers, në proces. Nëse qasja e Senatit vazhdon të jetë e tillë, shkarkimi i ish-presidentit do të jetë i pamundur./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore