Lajme

Rënia e bllokut A5, kërkohet dorëheqja e Rizvanollit


Ilustrim

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka komentuar për Albanian Post rënien e bllokut A5 i Termocentralit Kosova A, ku bëri përgjegjës drejtpërdrejtë qeverinë që udhëhiqet nga Albin Kurti, dhe po ashtu kërkoi dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ferat Shala

“Nëse i grumbulloni të gjitha këto që po ndodhin, pra që nga ardhja e tyre në pushtet për 2 vjet, dhe i mbledhni vetëm bllokun A5 dhe atë B2, që rezultati që kanë mbetur jashtë funksionit është si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj qeverie, ne do të duhej të kishim një dorëheqje morale, e lëre më po të flasim në aspektin financiar që i është shkaktuar Kosovës”, pohoi Shala për AP.

Artane Rizvanolli

Ndërkaq, deputeti i PDK-së foli edhe për deklaratën e ministres Rizvanolli e cila me rastin e rikthimit në funksion të bllokut A5, kishte thënë se kjo “është një dhuratë”.

“Riparimet që ka proklamuar me shumë pompozitet qeveria janë riparime parciale, dhe parimisht nuk ka intervenuar gjatë asaj faze të proklamuar në kaldaja”, potencoi ai.

Tutje, Shala tha se “kaldaja tani me forca vetanake gjenerike është duke u orvatur që ta kthej në punë për shkak të defekteve dhe jo profesionalizmit që ka ndodhur gjatë fazës së remontit”.

“Kaldaja që nga e premtja është jashtë funksionit, është paraparë që të kthehet brenda dy ditësh në funksion, por sipas gjitha gjasave mund të ketë vonesa ende më të mëdha”, shpjegoi ai për AP.

Sipas tij e gjithë kjo ka ndodhur sepse “intervenimet profesionale adekuate kanë qenë të vonuara shumë tashmë”, dhe kjo siç vlerëson ai “është tregues i defekteve të vazhdueshme që po rrjedhin vazhdimisht”.

“Ne e kemi ngritur si shqetësim para një kohe të gjatë në Kuvendin e Kosovës që lënia e bllokut A5 jashtë remontit ku kemi pasur jashtë parametrave inxhinierike rreth 40 mijë orë punë, pa u kryer remontet profesionale ka sjellë deri tek këto defekte; të cilat po i kushtojnë ekonomisë së Kosovës me rreth 140 megawat prodhim për orë, e që nënkuptojnë humbje të mëdha ekonomike për vendin dhe për sektorin”, shpjegoi situatën Shala.

Ndërsa, nënvizoi se ministria përgjegjëse për këtë sektor është “e paaftë për ta qeverisur sektorin energjetik”, dhe shtoi se “tashmë duhet të jep llogari direkte – sepse pasojat financiare dhe ekonomike të vendit janë jashtëzakonisht të mëdha”.

Ai nuk komentoi ndërlidhjen e këtij rasti me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasiqi, pasi që vlerëson se kjo “është tanimë çështje e drejtësisë”.

“Por, ajo çfarë mund të them është se pretendimet e PDK-së të ngritura në parlamentin e Kosovës për aferat korruptive në KEK janë të konfirmuara; dhe kjo jo vetëm nga institucionet e hetuesisë, por janë të konfirmuara dhe nga auditimi që ka ndodhur gjatë vitit 2022 nga zyra e rregullatorit në KEK”, elaburoi Shala, duke iu referuar vendimit të ZRRE-së për ta gjobitur në vlerën prej 3 milionë e 200 mijë euro Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Nëse shihni raportin e auditimit të ZRRE-së, pothuajse të gjitha të gjeturat janë publike tashmë, janë të vërtetuara pretendimet tona për afera të mëdha korruptive, për tregtim të paligjshëm të energjisë etj”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, deputeti nga radhët e PDK-së shprehet i bindur se “këto afera në sektorin energjetik janë vetëm fillimi i aferave që vazhdojnë në qeveri dhe ministrinë e Ekonomisë dhe deri tek kryeministria”.

KEK-u konfirmon raportimin e AP-së për rënien e bllokut A5 – Bucolli: Presim të kthehemi shpejt në operim

Çka ndodhi?

Lajmi që ishte prezantuar me pompozitet nga Qeveria e Kosovës se më në fund është kthyer në funksion blloku A5 i Kosovës A, po del të jetë vetëm një marketing për t’iu shpëtuar kritikave.

Fillimisht burime të Albanian Post brenda Korporatës Energjetike të Kosovës kanë bërë me dije se blloku punoi vetëm pak ditë dhe tash prapë është jashtë funksionit.

Ishte Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila me 7 maj shkroi në Facebook se “dhuratë më të mirë” se lajmi që njësia A5 e Kosovës A në KEK është rikthyer në funksion, nuk ka marrë për ditëlindje, por burimet e AP-së tregojnë se blloku sërish është jashtë funksioni.

“A5 ka rrjedhje të kaldajës dhe ka dalë nga sistemi”, tregon burimi brenda KEK-ut.

Madje prishja ka ndodhur pikërisht në vendin ku do të duhej të bëhej remonti/riparimi, i cili nuk u bë asnjëherë, për shkak të dallavereve që ndodhën në Korporatën Energjetike të Kosovës, për çka edhe është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Aty ku ka pas të bëhet ai remonti i cili ka dështuar”, aty edhe ka ndodhur rrjedhja tha burimi në kushte anonimiteti.

Ai tregoi se punëtorët e KEK-ut vetë kanë bërë të pamundurën për ta rregulluar, por “ajo pa pajisje nuk mund të bëhet, është e pamundshme”.

“Ka pas rrjedhje në kaldajë, tash po mundohen ta evitojnë rrjedhjen dhe ta rikthejnë në funksion sa më shpejt që është e mundshme. Ende është duke u punuar në të, që të evitohet rrjedhja”, vazhdon më tej burimi.

Blloku A5 para shumë muajsh do të duhej të dërgohej në riparim, në mënyrë që të rikthehej më pas në punë pa prishje. Por, qëllimshëm ishte anuluar projekti për Riparimin Kapital të kaldajës së bllokut A5.

Mashtrimi që nuk zgjati as 10 ditë: Ka rënë sërish blloku A5 i Kosovës A –“s’është bërë remonti, gjithmonë do ketë probleme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore