Shqipëria

RENEA pas Talo Çelës, forcat speciale arrestuan krahun e djathtë të Suel Çelës


Forcat Speciale RENEA mësynë pasditen e së enjtes në qytetin e Elbasanit, me qëllime të qarta për kapjen e personave në listën e më të kërkuarve – mes tyre edhe Talo Çela.

Por, aksioni u përmbyll vetëm me shoqërimin e pesë personave, mes të cilëve dallonte vetëm Kelmend Xhaferri.

Ky i fundit ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Elbasanit për incidentin parazgjedhor të vitit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Xhaferri u shoqërua, sipas mediave, teksa ishte duke lëvizur më këmbë në qytetin e Elbasanit.

Efektivët e RENEA-s i bënë shoqërimet në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Policia kishte informacion për vendndodhjen e Talo Çelës dhe mendonin se e kishin lokalizuar, por sërish ai nuk është gjetur nga autoritetet.

Dyshohet se Çela strehohej në një nga vendet që ka qenë objekt i kontrollit nga RENEA.

Ky ishte operacioni i pestë radhazi, pas aksionit të bujshëm të 19 majit.

Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), do të niste një aksion në disa qytete të vendit.

Konkretisht u lëshuan 32 urdhër arreste për krime të rënda dhe krim të organizuar.

Operacioni i Policisë po vijon në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier. Vetëm në Elbasan u arrestuan dhjetë persona, të cilët kishin lidhje me botën e krimit.

Mes të arrestuarve ishte dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Sokol Sanxhaktari. Ndërsa urdhërarrest kishte edhe për Suel Çelën. Këta akuzohen si koka të grupeve të ndryshme kriminale.

Po ashtu, edhe në Lezhë, mes personave që priten të arrestohen, ishte Ervis Martinaj, i cili ka qenë pjesë e grupit kriminal në vrasjen e ndodhur në zonën e ish-bllokut në vitin 2018.

Ky aksion erdhi pas rrëfimit të Nuredin Dumanit – i arrestuar më 29 mars të këtij viti.

Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Ai ka qenë i përfshirë edhe në ngjarjen e 9 prillit 2019, kur në pistën e aeroportit të Rinasit u grabit një shumë e madhe parash që po ngarkoheshin në avion. Sakaq, ai akuzohet si personi që ka vrarë Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.

Ky i fundit është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, Viktor dhe Besmir Haxhia.

Nuredin Dumani ka qenë pjesë e grupit kriminal të Talo Çelës, por pas vrasjes së vëllait të këtij të fundit ata u bënë rivalë.

Pas dëshmisë së të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, RENEA ka një listë me “14 të kërkuar”.

Mes tyre gjenden emra si: Ervis Martinaj; Florenc Çapja; Talo Çela; Eljo (Ervis) Bitri; Festim Qoli; Alban Bengasi; Elvin Merlika; Alket Xhixha; Marjus (Suel) Lulaj (Çela); Agron (Kamber) Mehja; Aleks Çela alias (Tom Qorri); Agim Gjini; Mikael Qosja (Kamami) (Stefo) dhe Abedin Mama (Dine Çami).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore