Sport

Renditja e re botërore e xhudistëve kosovarë


Pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë, Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka publikuar renditjen e re botërore.

Shteti i Kosovës, i cili u përfaqësua nga gjashtë xhudistë në Kampionatin Evropian, u rendit e para për sa i përket medaljeve të fituara në këtë kampionat.

Tre prej pesë xhudistëve të Kosovës fituan medalje në Portugali, ndërsa dy të tjerët zunë vendet e pesta në kategoritë e tyre përkatëse, duke e shënuar suksesin më të madh të ekipit të xhudos në një turne deri tani.

Akil Gjakova dhe Laura Fazliu shënuan ngritje në renditjen botërore në kategoritë e tyre përkatëse, ndërsa Distria Krasniqi, ruajti vendin e parë, derisa Nora Gjakova dhe Loriana Kuka, pozicionohen në vendet që mbanin më herët.

Ditria Krasniqi, u shpall kampione në kategorinë deri në 48 kilogramë, dhe kështu mbetet akoma e lidere në këtë kategori me 9 mijë e 265 pikë, derisa në renditjen e përgjithshme të xhudos, Krasniqi, gjendet e dyta sa i përket pikëve të grumbulluara në të gjitha kategoritë e xhudos (meshkuj dhe femra).

Akil Gjakova gjithashtu u bë kampion i Evropës, në kategorinë deri në 73 kilogram, dhe u ngrit nga vendi i tetë në të shtatin me gjithsej 4mijë e 655 pikë.

Nora Gjakova, doli e treta në Lisbonë, në kategorinë deri në 57 kilogramë dhe ngelet në pozitën e katërt me 5 mijë e 990 pikë.

Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, zunë vendet e pesta në kategoritë e tyre përkatëse, ndërsa Flaka Loxha nuk kishte sukses, e cila u eliminua në raundin e parë.

Laura Fazliu shënoi ngritje të madhe duke lëvizur tetë vende më lart dhe tani renditet e 42-ta në kategorinë e saj me 1 mijë e 302 pikë.

Ndërsa Loriana Kuka, mbetet në pozitën e tetë me 4 mijë e 713 pikë në kategorinë deri në 78 kilogramë dhe Flaka Loxha pozicionohet e 78-ta me 390 pikë, në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Deri sa në renditjen e përgjithshme të shteteve, Kosova zë vendin e 28-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore