Shqipëria

Rëndësia e korridorit jugor të gazit, Xhaçka takon homologun azer


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me homologun e saj nga Azerbajxhani, Jeyhun Bayramov, ku të dy kanë theksuar rëndësinë e madhe të zhvillimit të projektit për korridorin jugor të gazit azer.

Gjatë gjithë takimit, janë vënë piketat mbi situatën e tanishme në të cilën raportet mes dy vendeve ndodhen, si edhe është folur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilatelare.

Në bazë të një njoftimi nga dikasteri azer i punëve të jashtme, Bayramov ka thënë se vendi i tij është mjaft i kënaqur me mënyrën se si këto relata po zhvillohen me Shqipërinë, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut politik në nivele shumë të larta, për ta zgjeruar edhe më tej bashkëveprimin.

Pikërisht mbi këtë premisë, është përforcuar ideja se mes vendeve ka potencial shumë të lartë për të bashkëpunuar në çështjet e energjetikës, të cilat sot janë kryefjalë në gjithë botën.

Të njëjtën gjë sipas palës azere e ka konfirmuar edhe ministrja Xhaçka, e cila ka shtruar në tryezë edhe çështje si tregtia, investimet e Azerbajxhanit në rajon apo turizmi në ngritje mes dy palëve.

Mbi konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, i cili është ndezur sërish së fundmi, nuk ka një deklaratë të qartë mbi atë çfarë është folur, por sipas punëve të jashtme azere, Bayramov e ka përditësuar kryediplomaten shqiptare mbi atë çfarë ai e cilëson si “shkelje të neveritshme të pakteve që dy vendet kanë nënshkruar”.

Megjithatë, sektori energjetik mbetet ai më i rëndësishmi.

Duke qenë se Shqipëria është një prej vendeve ku projekti i madh gazsjellës TAP kalon, për të shkuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian, çështja merr edhe rëndësi më të madhe për vendet.

Vetë Shqipëria mund të përftojë mbi këtë sens, për të zhvilluar një rrjet të ri gazshpërndarës në vend. Teksa, me mbylljen “e rubinetit” nga ana e Rusisë, për shkak të zhvillimeve me luftën në Ukrainë, ky korridor mund të kthehet në thelbësor për gjithë kontinentin e vjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore