Auto

Renault në Francë, punonjësit marrin peng menaxherët


Në një fabrikë të pjesëve të makinave Renault në veri-perëndim të Francës, punonjësit mbajtën shtatë menaxherë kundër vullnetit të tyre për rreth 12 orë në një përpjekje për të ndaluar shitjet.

Agjencia e lajmeve, The Guardian, tregon se drejtuesit e fabrikës, Fonderie de Bretagne, e cila është nxjerrë në shitje, u mbajtën nga aktivistët e sindikatës mëngjesin e të martës dhe nuk u lanë të shkonin në shtëpi deri në orën 10:30 të mbrëmjes.

Mael Le Goff, një nga përfaqësuesit e sindikatës, është shprehur se sindikata kishte vendosur t’i lironte menaxherët pasi ata nuk donin të dialogonin dhe ishte “e pakuptimtë të flisje me njerëz që nuk duan të angazhohen”.

Nga ana tjetër, prodhuesi i makinave e “dënoi me forcë” ndalimin dhe tha se po përpiqej të gjente një blerës për fabrikën, e cila punëson 350 persona. Kjo për të mbajtur në vend aktivitetin dhe për të mbrojtur vendet e punës.

Edhe pse menaxherët e fabrikës së Renault-së janë liruar, fabrika vetë mbetet e mbyllur dhe me punonjësit që kërkojnë që prodhuesi i makinave të rimendojë planet e shitjes së saj.

“Ne jemi ende duke pritur progres me këtë çështje”, ka shtuar Le Goff duke vazhduar se situata është kthyer në “rraskapitëse” për shkak të kohëzgjatjes së saj prej një viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore