Auto

Renault, me vend të veçantë për makinat elektrike në Francë


Kompania Renault është në kërkim të krijimit të divizioneve të veçanta për makinat elektrike dhe me motorë me djegie.

Kësaj ideje, prodhuesit e tjerë të automjeteve i kanë rezistuar se mund të dobësojë aftësinë për të përdorur fitimet nga automjetet ndotëse për të financuar një të ardhme më të pastër.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Renault i njoftoi planet e reja pasi raportoi një fitim vjetor për herë të parë në tre vjet.

Me një bazë financiare më të sigurt, kompania po përshpejton përpjekjet për të kapur ritmin e rivalëve si Tesla dhe Volkswagen.

Çmimet e tyre të aksioneve janë rritur teksa marrin drejtimin në kalimin te automjetet elektrike.

Sipas Renault, një “entitet i pastër elektrik” mund të fokusohet në Francë dhe të jetë i hapur për partneritete. Kurse një tjetër për motorët me djegie dhe makinat hibride mund të fokusohet jashtë Francës.

Preferenca në rritje midis menaxherëve të investimeve për kompanitë e përqendruara në teknologjinë me karbon të ulët e ka ndihmuar Tesla-n të bëhet prodhuesi i automjeteve me vlerën më të lartë në botë.

Po ashtu ka bërë që disa investitorë dhe analistë të nxisin prodhuesit e tjerë të makinave që të konsiderojnë ndarjen e motorëve me djegie nga bizneset elektrike.

Megjithatë, kompani të tilla si General Motors i kanë rezistuar këtyre thirrjeve, duke argumentuar se fitimet nga automjetet me benzinë ​​dhe naftë do të financojnë kalimin në ato elektrike.

Në Evropë, qeveritë janë duke i shtyrë prodhuesit e automjeteve të heqin dorë nga motorët me djegie.

Renault ka thënë se synon të jetë tërësisht elektrike në Evropë deri në vitin 2030. Por tregje të tjera, duke përfshirë Amerikën Latine, Azinë Juglindore dhe Evropën Lindore, pritet të vazhdojnë të përdorin benzinë dhe naftë për më gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore