Lajme

Rekordi i Luis-it, i quajtur “Bisha”


Sa vrasje ka kryer kolumbiani Luis Garavito Cubillos, me nofkën Bisha, gjatë gjithë karrierës së tij si një vrasës serial, askush nuk e di. Por, atij i atribuojnë të paktën treqind.

Nëna e tij, një prostitutë, ishte rrahur dhe dhunuar nga babai i Luis-it. Të njëjtën gjë, thuhet se ai e kishte bërë me Luis-in dhe vëllezërit e motrat e tij. Gjithashtu, thuhet edhe se e kishte detyruar të birin që të shikonte nënën e tij, teksa ajo kryente marrëdhënie seksuale me klientë.

Në moshën 16-vjeçare, Luis-i do të braktiste shtëpinë e prindërve, duke u bërë një shitës ambulant i objekteve fetare. Gjithashtu, ai do të kthehej në një alkoolist, me çrregullime psikiatrike, dhe një pedofil.

Karrierën e tij si një vrasës serial, Luis-i do ta niste në 1992, duke i dhënë zanafillën një periudhe dhune, e cila do të zgjaste rreth tetë vjet, deri në 1999-n.

Mënyra e tij e të vepruarit ishte e tillë: ai merrte identitete të rreme (si një shitës ambulant, një lypës që kërkonte lëmoshë, një person me aftësi të kufizuara në kërkim të ndihmës, ose një ndihmës humanitar) duke i afruar viktimat, të cilat pasi i çonte në një vend të izoluar dhe të shkretë, i qëllonte me një hanxhar dhe ua priste kokën.

Të gjithë viktimat e tij i përkisnin grupmoshës 8 deri 13 vjeç, përveç tre djemve (16 vjeç). Kufomat e tyre, të kthyera në pothuajse skelete, gjendeshin pas shumë kohe nën tokë, shpesh të varrosura bashkërisht, në varre masive. U gjenden disa dhjetëra të tilla.

Vrasjet e tij ishin sadiste. Mbi trupat e viktimave kishte gjithnjë shenja të qarta të abuzimit seksual brutal. Ai i dhunonte me objekte nga më të ndryshmet, objekte që u gjendën në trupat e tyre.

Në shumë raste, ai u priste testikujt, të cilat më pas ua fuste në gojë. Agonia e viktimave të Luis Garavito-s duhet të ketë qenë e paimagjinueshme. Ai nuk njihte keqardhje.

Luis Garavito ngjante me një kameleon: në fakt, ai kurrë nuk u ndalua ose u arrestua gjatë kësaj periudhe, falë mënyrës sesi vepronte dhe aftësisë së tij.

Ndonëse vrasja nuk përbënte zakonisht lajm në Kolumbi, filloi të flitej për një “Bishë”, që endej dhe mbillte terror mes popullatës.

Por, më pas, u shfaqën gjithnjë e më shumë varre masive me kufoma të fëmijëve, të cilat treguan gjurmë të një dhune dhe keqtrajtimi të rëndë.

Tanimë ishte e qartë se një vrasës serial po lëvizte në të gjithë vendin. Hetuesit supozuan se autori i krimit duhet të ishte një shitës ambulant ose një punëtor sezonal.

Më 22 prill 1999, Luis Alfredo Garavito u arrestua në Villavicencio, pas një përpjekjeje të dështuar për të përdhunuar një fëmijë. Një i pastrehë kishte vëzhguar sulmin dhe kishte njoftuar policinë.

I sjellë përpara një hetuesi, pas një rezistence të parë, ai shpërtheu në lot, duke rrëfyer pa pushim 172 vrasje. Më pas u dha policëve shumë informacione se ku të gjenin trupat dhe shpjegime për mënyrën se si vepronte dhe i kryente vrasjet. Marrja në pyetje zgjati plot shtatë orë.

Pas këtyre rrëfimeve, policia e mbajti si të dyshuar për mbi 200 vrasje. Pas njëzet e tetë gjykimeve, ai u shpall fajtor për 138 vrasje të gati 300 vrasjeve që atij i ishin atribuuar.

Ai nuk u njoh si person që vuante nga probleme mendore, kështu që atij iu dha një total prej 1 mijë e 853 vjet burg.

Në fakt, ky dënim qe simbolik, duke qenë se në Kolumbi dënimi më i lartë i mundshëm me burg është 40 vjet. Fakti që Luis Garavito rrëfeu dhe i drejtoi hetuesit në mbetjet mortore të viktimave të tij, uli ndëshkimin në vetëm 22 vjet.

Edhe pse do të duhej të lirohej në 2021, kjo ishte e pamundur. Në Kolumbi ekziston një ligj në vend që kriminelët, viktimat e të cilëve janë fëmijë, nuk mund të kenë përfitime. Për ata, burgimi duhet të jetë të paktën gjashtëdhjetë vjet.

Me shumë gjasë, Bisha nuk do të largohet më nga burgu. Por, për të mos u linçuar nga të burgosurit e tjerë, atë e kanë mbyllur në një qeli të vetmuar.

Sipas dëshmive të rojeve dhe drejtorit të burgut, Luis Garavito është tejet i sjellshëm. Ai ka shprehur se është penduar për veprimet e tij dhe se, sapo të dalë nga burgu, synon të “ndihmojë fëmijët që kanë qenë viktima të abuzimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore