Shqipëria

Rekord i ri vdekjesh, 19 pacientë humbin betejën me Covid-19


Gjatë 24 orëve të fundit 19 persona kanë humbur betejën me coronavirusin dhe kanë rezultuar pozitivë 1 mijë e 21 qytetarë në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), katër qytetarë janë nga Tirana, tre nga Elbasani, dy nga Vlora, një nga Durrësi, Lezha, Korça, Librazhdi, Shkodra, Përmeti, Tepelena, Kuçova, Berati dhe nga Kavaja. Këta persona i përkasin grupmoshës 41-85 vjeç.

Ditën e sotme janë vaksinuar 1 mijë e 134 qytetarë. Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 9 mijë e 104 vaksina anti-Covid. Procesi i vaksinimit ka vijuar në tre qendrat e vaksinimit në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në tre spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan janë duke u trajtuar 647 pacientë, 45 në terapi intensive nga të cilët 16 pacientë janë të intubuar.

Janë kryer 3 mijë e 897 testime dhe janë shëruar 906 qytetarë.

Nga raporti shihet se është rritur numri i rasteve të reja dhe vdekjeve në Shqipëri. Gjithashtu gjatë kësaj jave shihet një rritje e rasteve të pacientëve që janë në terapi intensive.

Kujtojmë se më 11 shkurt ministrja Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se janë marrë masa të reja përsa i përket parandalimit të coronavirus-it. U vendos ora policore nga 20:00-06:00. Kjo masë u shoqërua edhe me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Prandaj, Ministria ka bërë sërish thirrje që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore