Teknologji

Rekord i ri botëror për satelitët në orbitë


Raketa SpaceX Falcon 9 e cila çoi 143 satelitë në orbitë vendosi rekordin e ri botëror për satelitët më të shumtë të lëshuar nga një raketë e vetme.

Lidhur me detajet e satelitëve, agjensia e lajmeve CNN, tregon se në misionin e quajtur Transporter-1, raketa mbante 10 satelitë për rrjetin e internetit Starlink dhe mbi 130 të tjerë për një gamë të gjerë klientësh.

Midis këtyre klientëve përfshihet Planet, që operon në fushën e satelitëve me imazhe të tokës dhe ICEYE që zhvillon satelitë të vegjël radar për monitorimin e akullit dhe përcjelljen e përmbytjeve.

CNN, shpjegon se popullariteti i satelitëve ka pësuar kohët e fundit një rritje “meteorike”. Mirëpo, kjo rritje është shoqëruar edhe me një shumësi biznesesh që kanë hyrë në treg duke premtuar shërbime të teknologjive të satelitëve të vegjël.

Dy prej kompanive që i janë përgjigjur kërkesës në rritje janë Rocker Lab dhe Virgin Orbit, të cilat i kanë realizuar misionet me sukses në dërgimin e satelitëve në orbitë. Në krahasim me këto dy kompani, raketat e SpaceX Falcon 9 janë më të gjera.

Një nga problemet që ngre CNN lidhur me satelitët që dërgohen në orbitë është shqetësimi i ekspertëve për mbingarkesën.

Një nga pasojat shoqëruese të numrit në rritje të satelitëve që dërgohen në orbitë është edhe probabiliteti i përplasjes ndërmjet tyre. Sipas ekspertëve incidente të tilla nuk përbëjnë kërcënim për njerëzit në tokë, mirëpo mbeturinat nga rrëzimi mund të qëndrojnë në orbitë për vite me radhë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore