Aplikacione

Reklamat diskriminuese të Facebook-ut


Prej një auditimi të kryer nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë Jugore, është zbuluar se sistemi i shpërndarjes së reklamave në platformën Facebook diskriminon gratë.

“Shpërndarja e reklamave në Facebook mund të rezultojë në shtrembërim të shpërndarjes së reklamave në bazë të gjinisë përtej asaj që mund të justifikohet ligjërisht nga ndryshimet e mundshme të cilësimeve”, kanë shkruar studiuesit në raportin e tyre.

Ata kanë shtuar se kjo taktikë e ndjekur ka “forcuar argumentet e ngritura më parë se algoritmet e shpërndarjes së reklamave në Facebook mund të jetë në shkelje të ligjeve antidiskriminuese”.

Rezultati erdhi pas eksperimenteve të realizuara nga ekipi i studiuesve. Një prej tyre ka të bëjë me blerjen e reklamave në Facebook për të listuar punët e shoferëve që dispononin kualifikime të ngjashme.

Një nga reklamat ishte për drejtuesit e shpërndarjes së picave në Domino ndërsa tjetra për drejtuesit e Instacart-it.

Rezultoi që Instacart-i kishte më shumë shofere femra dhe Domino më shumë shoferë meshkuj.

Kjo ka bërë që Facebook-u të synojë audiencën e grave për të ofruar punë në Instacart dhe atë të burrave për Domino-në.

“Sistemi ynë merr parasysh shumë sinjalepër të provuar dhe për t’u shërbyer njerëzve reklama për të cilat do të jenë më të interesuar, mirëpo ne i kuptojmë shqetësimet e ngritura në raport”, ka thënë zëdhënësi i Facebook-ut, Tom Channick përmes një email-i për The Verge.

Ai ka vazhduar duke thënë se “ne kemi ndërmarrë hapa domethënës për të adresuar çështjet e diskriminimit nëpër reklama dhe kemi ekipet që punojnë për drejtësinë e reklamave. Ne po vazhdojmë të punojmë ngushtë me komunitetin e të drejtave civile, rregullatorët dhe akademikët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore