Sport

Reja: Asllani ka kualitet, shpresoj që Bajrami të transferohet te Fiorentina


Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja, ishte i pranishëm në ndeshjen miqësore që Shqipëria U19 u mposht me rezultat 3:0 nga Italia U19.

Pas ndeshjes, Reja foli për mediat italiane, teksa nuk munguan komentet për dy futbollistët e Shqipërisë, Kristjan Asllanin dhe Nedim Bajramin.

Për Asllanin, trajneri i kuqezinjve tha që ka shumë cilësi, derisa pret që të fitojë eksperiencë edhe më shumë, derisa për Bajramin shpreson që të transferohet te Fiorentina.

“Sa herë që ka luajtur, Asllani ka treguar vlera të mëdha dhe unë i kam dhënë mundësinë të debutojë. Ai shfaqi shumë personalitet dhe tani ka nevojë edhe për eksperiencë, në mënyrë që të shndërrohet i rëndësishëm, por ka treguar tashmë se ka shumë cilësi”, theksoi Reja.

“Shpresoj që Bajrami të shkojë te Fiorentina, pasi është shumë i talentuar. Te Empoli ka treguar kualitet, megjithatë unë e shoh mjaft mirë edhe te Fiorentina aktuale, pasi mund të luajë në mesfushë dhe në të gjithë rolet pas sulmuesit kryesor. Ka cilësi teknike, shpejtësi dhe goditje mjaft të mirë drejt portës”, tha trajneri i Shqipërisë.

Ai gjithashtu pati komente edhe për ndeshjen mes 19-vjeçarëve të Shqipërisë dhe atyre të Italisë, si dhe foli edhe për kombëtaren A të kuqezinjve, duke treguar edhe synimet për të ardhmen.

“19-vjeçarët e Shqipërisë janë një ekip i mirë, luajtën mirë në pjesën e parë, por më pas doli në pah cilësia. Gjithsesi jam i kënaqur nga ajo që pashë, pasi skuadra e Cungut luajti vërtetë mirë”, tha Reja.

“Te kombëtarja shqiptare po punohet mirë, pasi thuajse gjithë stafi jemi italianë dhe unë bëra tre vite që jam atje. Shpresojmë të gjejmë ndonjë element të rëndësishëm pasi duam pjesëmarrjen në Evropian”, shtoi tekniku italian.

“Megjithatë duhet rriten prurjet nga kampionati shqiptar dhe jo vetëm të presim nga jashtë”, tha mes tjerash trajneri kuqezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore