Film

Regjisori Kelvin Redvers nuk u lejua në eventin e Kanës, shkak këpucët


Vetëm sepse kishte mbathur mokasine tradicionale, regjisorit Kelvin Redvers iu refuzua hyrja në tapetin e kuq në Festivalin e 75-të të Filmit në Kanë.

Ai është anëtar i komunitetit indigjen Dene dhe është rritur në Territoret Veriperëndimore të Kanadasë.

“U shfaqa duke pritur që kjo do të ishte brenda sferës së gjërave që ata do të lejonin”, ka thënë Redvers për median kanadeze “Global News”.

Sipas tij, mokasinet ishin pjesë e kulturës së komunitetit që i përket.

“Ato janë ceremoniale, mund të jenë mjaft të veçanta, kështu që nëse do të lejohet një fustan për dikë që është skocez, ekuivalenti do të ishte një palë mokasine për dikë që është Dene”, ka shpjeguar.

Regjisori udhëtoi në Francë me një delegacion kineastësh indigjenë dhe u ftua në premierën e Les Amandiers nga aktorja franko-italiane Valeria Bruni Tedeschi më 22 maj.

Por përgjegjësit e sigurisë e ndaluan atë të shkelte tapetin e kuq. Dhe e lejuan të kthehej vetëm, pasi të kishte ndërruar këpucët.

Brenda disa orësh nga incidenti, regjisori u takua me zyrtarë të lartë të festivalit, të cilët i kërkuan falje dhe e ftuan të vishte mokasine në tapetin e kuq gjatë prezantimit të filmit “Crimes of the Future” nga David Cronenberg.

“Ishte një përvojë vërtet e vështirë. Kur ndodhi, sinqerisht nuk mund ta përpunoja plotësisht”, ka thënë ai, duke vënë në dukje se këpucët tradicionale që kishte veshur ishin bërë nga motra e tij.

“Shpresoj që gjërat të ndryshojnë në të ardhmen. Bota ka nevojë për më shumë mokasine”, ka shtuar.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore