Shqipëria

Reformimi i PD-së dhe “konfliktet” e brendshme


Më 18 korrik, fill pas përfundimit të punimeve për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike (PD) ndodhën dy përballje brenda PD-së: ajo e Mark Markut dhe Sali Berishës në distancë dhe, tjetra, mes Grupit për PD-në dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Ndërsa për liderin historik të PD-së, me statusin e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, vëmendja ishte e gjitha rreth tij, fjalimi i Mark Markut në Kuvendin Kombëtar të PD-së nuk kaloi pa bërë zhurmë.

Ai deklaroi se Kuvendi po mblidhet në një moment dramatik për PD-në dhe shoqërinë shqiptare.

“Për mua është një situatë dramatike. Pritej dhe të gjithë prisnim që 25 prilli të sillte ndryshim. Në fakt, ndodhi e kundërta”, tha Marku në fjalën e tij.

Sipas tij, PD-ja është në pikën më kritike të saj. Ai vijoi me kritikën kundrejt anëtarësisë, duke cilësuar se mënyra se si po përballeshin gjërat në Kuvend ishte jashtë kontekstit ku ndodhet PD-ja.

“Nëse ne nuk kapim kohën politike, nëse s’jemi në kohë politike, ne rrezikojmë që pas 4 vitesh të mblidhemi këtu dhe të themi ‘na vodhën prapë’, ose ‘masakër zgjedhore’”.

Por nuk ishte ky fjalimi apo deklarata e Markut që hapi një konflikt aspak të kohëve të fundit në PD.

Deklarata mbi Berishën

Në një deklaratë për mediat, i pyetur më së shumti lidhur me reagimet në adresë të tij, Marku e përmblodhi, duke thënë se Berisha është pengesa për ristrukturimin e PD-së, për shkak të karizmës që ka ish-kryeministri brenda partisë.

Sa i përket shpalljes së tij “non-grata”, Marku merr në konsideratë faktin që, sipas tij, ai është një qëndrim që mbështetet në disa argumente, pa asnjë vlerë juridike.

Sipas Markut, Berisha dhe PD-ja janë futur në një marrëdhënie të komplikuar, sepse do të duhet të demokratët dhe Bashkimi Evropian të kenë marrëdhënie shumë të mira.

Shpallja “non-grata”, për Markun, është një diskurs që është ndërtuar mbi figurën e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos dhe faktit që ata duhej të largoheshin nga politika.

Por kjo nuk është “përballja” e parë mes Sali Berishës dhe Mark Markut.

Pas mospërfshirjes së tij nëpër lista, në zgjedhjet e vitit 2013, Marku deklaronte në media se, me kalimin e viteve, është bërë çmos që në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike – e cila asokohe drejtohej nga Berisha – të mos kishte më përfaqësues të djathtë.

Marku shprehej me bindje për aktivizimin e tij në lëvizjet e dhjetorit.

Ai merrte si referencë figurën e Kastriot Islamit, që u përfshi në listën e PD-së, duke lënë Markun jashtë saj.

Sipas tij, listat që u hartuan asokohe nuk ndoqën një logjikë.

“U përjashtuan jo vetëm kritikët, por dhe konformistët”, deklaronte ai.

Për Markun, ajo listë nuk do të funksiononte. Ai i qëndronte mendimit se ish-kryeministri Berisha gaboi, duke përfshirë në listë tre ish-deputetë të PS-së.

Grupi për PD-në dhe Basha

Grupi i Partisë Demokratike, të hënën e 19 korrikut, reagoi pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

“Jo vetëm vendimet që u morën ishin antistatutore, por edhe fryma që u përcoll ishte antidemokratike dhe antieuroatlantike”.

Reagimi i tyre ka ardhur pasi dy emra dhe kontribuues të PD-së ngelën jashtë listës së anëtarëve. Përkatësisht Arben Ristani dhe Edith Harxhi.

Sipas tyre, Kuvendi Kombëtar i PD-së, “u mbajt në kundërshtim me rregullat statutore të Partisë Demokratike”.

“Mungesë e një analize të thellë nga anëtarësia për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021, por e përgatitur me shpejtësi nga grupe lobiste, si dhe mosmarrja e përgjegjësisë, deri në deklarimin e humbjes si fitore, ishin butaforike dhe nuk përafrohej aspak në asnjë formë me Kuvendet e PD-së deri në vitin 2018”.

Më tej ata shtuan se, “shumë nga kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar u propozuan në mënyrë klienteliste nga drejtues politik të listës së deputetëve në qarqe dhe kryetarë të degëve”.

Ndërkohë ata theksuan faktin se ai që manipulon votat dhe zgjedhjet brenda partisë së tij, “nuk duhet të fajësojë tjetrin për të njëjtin krim”.

Duke hedhur akuza të drejtpërdrejta kundrejt kreut të demokratëve, Lulzim Basha, në deklaratë thuhej se “lënia jashtë punimeve të Kuvendit e mijëra demokratëve të përkushtuar, tregojnë përfundimisht se linja drejtuese e Partisë Demokratike dhe udhëheqësi i saj në detyrë nuk kanë asgjë të përbashkët me gjithçka po ndodh me opozitën dhe me gjithë Shqipërinë”.

Në përfundim ata theksuan faktin se grupi i tyre të vazhdojë të jetë zëri i demokratëve të vërtetë,  si dhe do të jetë opozita e fuqishme në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore