Shqipëria

Reforma Territoriale, Basha: Një domosdoshmëri urgjente


“Rindarja territoriale e Shqipërisë është një domosdoshmëri urgjente. E duan shqiptarët nga jugu në veri”.

Kështu është shprehur kryedemokrati Lulzim Basha pasditen e 15 shkurtit, pasi zhvilloi një tryezë të përbashkët me ekspertë për sa i takon Reformës Territoriale.

Sipas Bashës, ndarja që u bë në vitin 2014 “u konceptua si ndarje politike për të marrë pushtet sepse përmes kësaj të fundit mundësohen afera korruptive, si ajo e inceneratorëve”.

“430 milionë euro kanë paguar shqiptarët për shërbime që nuk i marrin. Gjithçka u përqendrua në një dorë të vetme”, theksoi Basha në fjalën e tij.

Kjo e fundit, sipas kreut të PD-së, ka ardhur pasi mungesa e pushtetit vendor dhe centralizimi ka ardhur pikërisht për këto afera.

“Afera si këto nuk mund të ndodhin nëse funksionon pushteti vendor. 17 akte nuk ka forcë për t’i marrë brenda një dite përveç kryeministrit të vendit. Prandaj është vjedhja e shekullit”, vijoi Basha në fjalën e tij.

Ndër të tjera, Basha tha se duhet një liri e plotë fiskale e pushtetit vendor për t’i mbledhur këto taksa dhe vënë në dispozicion të qytetarëve.

“Nëse i qëndrojmë centralizmit të taksave atëherë të ndahet në mënyrë të tillë që përgjegjësit që ia delegoni pushtetit vendor ta delegosh bashkë me kompetencat dhe bashkë me fondet dhe jo të lani duart dhe kjo ka ndodhur”, ravijëzoi ai.

Në përfundim Basha deklaroi se Komisioni që do të ngrihet për këtë çështje do të sjellë shërbime më të mira për qytetarët.

Sekretari për Pushtetin Vendor në PD, anëtar i grupit të punës për Reformën Territoriale, Roland Bejko, tha se kjo reformë ka nevojë urgjente për analizë dhe për rishikim.

“Reforma Territoriale është një nga reformat e rëndësishme për Shqipërinë. Partia Demokratike e ndërmori këtë iniciativë mbështetur mbi reagimet e shumta të qytetarëve, raporteve të institucioneve të huaja, konkluzioneve të KLSH-së, progres raporteve të BE-së”, tha Bejko në fjalën e tij.

Kujtojmë që Kuvendi i Shqipërisë, të enjten e 10 shkurtit, voti pro ngritjes së Komisionit për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore