Lajme

“Reflektonin krenari për të kaluarën e besim për të ardhmen”, Krasniqi viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë për nder të 28 nëntorit


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar në Hagë të Holandës ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në paraburgim për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.

“Si përherë, ata reflektonin krenari për të kaluarën e besim për të ardhmen”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai theksoi se kjo vizitë erdhi pak ditë para 28 Nëntorit – Ditës së Mëvetësisë së Shqipërisë – me shpresën se përvjetorët e ardhshëm t’i gëzojnë në Kosovë.

“I uruam për festat kombëtare, me urimin që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë prapë së bashku, në atdheun tonë, krahëhapur e me zemrat plot”.

Bernard Nikaj, Memli Krasniqi dhe Bekim Collaku

Aktakuza

Më 26 tetor të vitit 2020, në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Aktakuza pretendon se ish-krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën.

Kjo, përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e supozuara të luftës së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 29 prill të 2022, e njëjta zyrë do të dorëzonte aktakuzën e ndryshuar kundër ish-krerëve të UÇK-së. Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja.

Këto të fundit u referohen krimeve që pretendohet të jenë kryer në Gjilan dhe në fshatrat e Suharekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore