Shqipëria

‘Referendumet’ ruse nën tytën e armëve, për të fshehur disfatën – Hoxha në KS: Shqipëria nuk i njeh


Katër referendumet e kryera në Donetks, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, as që kanë të bëjnë me demokracinë.

Gjithçka, bëhet për të fshehur disfatën e Rusisë dhe avancimin e kundërofensivës së Ukrainës në rajonet e uzurpuara nga Moska momentalisht.

Është pikërisht i njëjti skenar si ata të mëparshmit në Gjeorgji apo si ai i Krimesë dhe nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë do të përbënte një votim të qartë demokratik, pasi është bërë nën tytën e armëve të Ushtrisë ruse.

Ky është qëndrimi zyrtar i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, në fjalën e mbajtur nga ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, gjatë fjalës së rastit në takimin e thirrur për sigurinë e Ukrainës, ku foli edhe presidenti Volodymyr Zelensky.

Ashtu si edhe qëndrimi i njëzëshëm i vendeve perëndimore, edhe Shqipëria e ka dënuar qartësisht aktin e radhës së Rusisë, i cili është tërësisht në kundërshti me çdo parim e ligj ndërkombëtar të lirisë dhe sovranitetit territorial të një vendi.

Në vëmendje, Hoxha solli fjalimin e dikurshëm të Vladimir Putin, presidentit rus, kur aneksoi padrejtësisht Krimenë, në vitin 2014.

“Ne nuk na intereson shpërbërja e Ukrainës, apo të marrim territore të tjera nga Ukraina”, deklaronte Putin asokohe.

Por, sot, narrativa ka ndryshuar radikalisht dhe është kthyer në një çështje “lirie për shumicat ruse në Ukrainë”, të cilat në vetevete nuk ekzistojnë.

Sipas ambasadorit Hoxha, votimet janë zhvilluar në kushte tërësisht qesharake, duke përmendur edhe votime në parqe apo votime familjare e kolektive.

Mirëpo, organizimi dhe orkestrimi i vërtetë, është ai i kryer në Moskë, i cili e ka të paracaktuar shpalljen e aneksimeve.

Pikërisht kështu ndodhi në fakt, kur njëkohësisht me fjalën e ambasadorit në KS, separatistët shpallën fitore në të katër rajonet, duke bërë kështu thuajse një formalitet bashkimin e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit, në Federatën ruse.

Por, kjo gjë, vetëm nga Moska do të njihet…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore