Libra

“Reduktim kulturor”


Ilustrim i diversitetit kulturor

Budallallëku i stër-përsëritur, harrohet që është i tillë, dhe në mirëqenësinë e themeluar të tij, shënjon një epokë, deri në përgatitjen e një budallallëku tjetër, të cilën, përmes një marketingu dhe transmetimi ekstatik nga disa, e përsërisin shumica receptuese vetiu.

Njeriu është fletë e bardhë – bllanko. Në të shkruhet lirshëm. Mendja e tij pranon, shqisat e tij mësohen, gjykimet e tij formohen, nga aparatet e atyre që krijojnë dhe organizojnë përvojën dhe përjetimet njerëzore.

Ilustrim i hipnozës masive

Të diktuarit, pastaj, janë të ngazëllyer, nga ngazëllata e ofruar prej diktuesve.

Religjioni, ideologjia, pllastikë-kultura e prodhuar në masë, seksi i ç’seksualizuar në ekstatizmin showbizzstik, dehja e stupifikimi i mendjes, shopping-u i pamendtë e deliri i veshjes, çfarëdo doktrine e iluzioni, çfarëdo që servohet, që ngushëllon, që argëton, që heq barrën e mendimit, që premton, që ofron harresë, injorancë e shkurtpamësi, që i bën masazhë dhe lajka egos njerëzore – janë të mirëseardhura.

Janë të mirëseardhura, sepse në boshllëkun e bollëkut të ekzistencës bashkëkohore, njeriu s’mund të mirë-sjell më diçka vetiu.

Aq shumë është instru-mental-izuar njeriu nga forcat që tejkalojnë atë, sa që është e paparamendueshme të flasim më për njeriun. Sepse ai është tashmë produkt. Sepse ai tashmë është kod i modifikuar sipas algoritmave ekonomikë, politikë, shoqërorë.

Ilustrim.

Njeriu është diçka që takojmë vetëm brenda arkivave historike. Relikë, por jo real.

Produkti është një gjë e prodhuar nga përbërës ose lëndë e parë nga një prodhues, që shërben për një nevojë, qëllim, detyrë, shërbim, të caktuar, e cila tregtohet ose në vetvete ose për diçka tjetër.

Por, se njeriu i cili është prodhues, kthehet në prodhues të vetes si produkt, është gjë e re. Sepse, dikur, njeriu prodhonte dimensione heroike për jetën e tij, kurse, tash, gjendet në hierarkinë aspak heroike të tregut.

S’e kam fjalen per heroizëm vetë-flijues ideal të romancierëve dhe filmave, por për një gjenerativë të dinjitetit njerëzor, për një gjenerativë kuptimdhënëse.

Ilustrim i ngushëllimit mes zgjedhjes së asaj që është e lehtë dhe asaj që ëahtë e vërtetë.

Të dinjitetit njerëzor që ka kontakt me tërësinë e jetës dhe gjithqenësinë shpirtërore që shkëndijon në njeriun, e jo kontakt me kredit-kartelë në qendër tregtare ku blen Nike-t e modelit më të fundit.

Nihilizmi me Nike-t e fundit e me Nookie-t e fundit, NUK e bëjnë jetën më të mirë, por e stër-gjatin ngushëllimin me atë se “ne kemi”. Kemi çka? S’kamësi substanciale njerëzore, por jo kamësi të prekshme jetësore.

Njeriu mund të pij një birrë dehëse aty-këtu, por assesi s’mund të esëlloj zbrazëtinë e asaj-kësaj diktateje.

Gjermani i madh Nietzsche dikur vajtonte humbjen e njeriut, “perëndi(zi)min” e njeriut si një specie të zbutur gati se në kafshë shtëpiake, të përkdhelur e të rrahur, që i sorollatet zotit të shtëpisë nën iluzionin e sigurisë dhe konformitetit shtëpiak, dhe përfundimisht tradhëton PO-në e jetës, për një PO të një diktati të padenjë .

Por konform çkaje? Kon-form bashkë-formësisë, bashkë-turmës, afërsisë së ngrohtësisë së tufës, të dëshpëruar nën drejtimin e barive bashkëkohor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore