Gatimi

Receta e ëmbëlsirës së rafinuar


Tiramisù-ja është një ëmbëlsirë e rafinuar dhe e pasur italiane. Receta klasike e saj: bëhet me biskota të lehta dhe të ëmbla Savoiardi. Të servirura në gota të ngjyrosura me kafe, të shtruara me një krem të lehtë, mascarpone dhe pluhur kakao, janë thjesht për të lëpirë gishtat.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës, Renato Mekolli.

Përbërësit: 2 vezë; 100 gr sheqer; 100 ml pana; 250 gr mascarpone; 150 gr Savoiardi/Ladyfingers (biskota për tiramisù); 100 ml kafe e përgatitur (Nescafe); 10 gr kakao pluhur.

Përgatitja:

Në fillim, vendosim në një enë vezët dhe sheqerin. I përziejmë me mikser dore, derisa masa të fryhet e të bëhet homogjene e kremoze.

Më pas, në një enë tjetër vendosim panën dhe e përziejmë pak me mikserin. E lëmë në frigorifer që të pushojë.

Marrim masën e përgatitur më parë me vezë dhe sheqer dhe i shtojmë maskarponen. E përziejmë me një spatul nga poshtë-lart me kujdes që të mos shfryhet veza.

Kur masa të jetë bërë krem mund ta bashkojmë me panën. Në këtë mënyrë përgatisim kremin e tiramisù-së.

Së fundmi, marrim 4 gota dhe vendosim pak krem poshtë. Biskotën e lyejmë me kafe, e vendosim sipër kremit të tiramisù-së dhe shtojmë pak kakao të situr. Vendosim sërish krem sipër dhe biskotë tjetër të zbutur me kafe.

Përsërisim të njëjtin hap dhe më pas i vendosim në frigorifer për 1 orë që të mpiksen. Pas 1 ore mund t’i shërbejmë dhe shijojmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore