Gatimi

Reçel me luleshtrydhe, shija e sezonit


Është pikërisht sezoni i tyre dhe tregjet janë plot me luleshtrydhe. Mund t’i shijoni ashtu siç janë, por si thoni të përgatisni reçel me luleshtrydhe.

Për këtë ne ju vijmë në ndihmë, me një recetë që ua lehtëson punën.

Përbërësit: 1 kg luleshtrydhe, 800 gr sheqer, lëngu i shtrydhur i një kokrre limoni.

Përgatitja

Si fillim pastrojmë luleshtrydhet nga bishtat dhe i shpëlajmë me ujë të rrjedhshëm. Më pas, i vendosim në një kullesë në mënyrë që t’u largohet uji.

Shtrojmë një shtresë me luleshtrydhe në tenxhere, një shtresë me sheqer, e kështu me radhë derisa masat e sheqerit dhe luleshtrydheve të mbarojnë.

I lëmë të pushojnë përreth 6 orë në mënyrë që luleshtrydhet të lëshojnë lëngun e tyre.

Më pas vendosni tenxheren në zjarr të ngadaltë. Gjatë përgatitjes së reçelit së luleshtrydheve nuk duhet të hidhni ujë pasi luleshtrydhet kanë lëngun e tyre.

Gjatë zierjes duhet të bëni kujdes që të largoni shkumën që do të krijohet në sipërfaqen e tenxheres.

Do ta zieni deri në 30 minuta apo edhe pak më shumë derisa lëngu i reçelit të trashet.

Pak para se ta heqim tenxheren nga zjarri shtojmë lëngun e limonit, e trazojmë me kujdes për pak sekonda dhe e largojmë nga zjarri.

E lëmë të ftohet dhe e vendosim në kavanoza të sterilizuar dhe i vendosim në frigorifer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore