Përballje

Real Madrid-i, ëndrra e Bernardo Silva-s


Bernardo Silva e ka shprehur ëndrrën e tij që një ditë të luaj në “Santiago Bernabeu” te Real Madrid-i.

Portugezi po kalon një ndër sezonet më të mira në karrierë.

Deri tani, në të gjitha kompeticionet, Bernardo ka shënuar dhjetë gola derisa ka shtuar edhe tri asistime.

Paraqitjet e tij, e kanë bërë një ndër shtyllat kryesore të skuadrës së Guardiola-s, dhe trajneri spanjoll nuk dëshiron ta lejojë largimin e tij për një kohë të gjatë.

Mirëpo, sa i përket kësaj, vendimi është tërësisht në duart e portugezit.

Manchester City shumë herë ka treguar se nuk do e mbajë një futbollist kundër dëshirës së tij, dhe kjo së fundmi u vërtetua me largimin e Ferran Torres në drejtim të Barcelonës.

Bernardo Silva ka kontratë me Manchester City-n deri në vitin 2025.

Gjatë verës që shkoi, ai ishte shumë afër që të transferohej te Atletico Madrid, por në fund vendosi që të vazhdojë aventurën në “Etihad”.

Mirëpo, ëndrra e tij vazhdon të jetë Real Madrid-i, sipas një raportimi të Calcio Mercato.

Madrilenët janë shumë të lumtur me mesfushën që kanë, por ata janë të vetëdijshëm që ditëve të Toni Kroos dhe Luka Modric po iu vjen fundi.

Sipas medias italiane, te Real Madrid-i janë të vetëdijshëm për dëshirën që ka Bernardo Silva, dhe shumë shpejtë mund të hidhen në sulm për mesfushorin portugez.

Bernardo do t’i kushtonte skuadrës nga “Bernabeu” rreth 70 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore