Përballje

Real Madrid-i dhe Napoli kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve


Dy ndeshjet e së mërkurës ishin interesante dhe pa befasi.

Dueli mes Real Madrid-it dhe Liverpool përfundoi me fitoren e këtyre të parëve, me rezultat 1:0.

Madrilenët janë kualifikuar në fazën e mëtutjeshme në Ligën e Kampionëve, ku pritet të hidhet shorti.

Rezultati përfundimtar i të dy ndeshjeve mes Real Madrid-it dhe Liverpool ishte 6:2.

45 minutat e para të ndeshjes ishin shumë interesante, me mundësi të shumta shënimi për të dy skuadrat.

Në fillim të ndeshjes, Vinicius Junior pati një mundësi fantastike, por Alisson ndërhyri në mënyrë të përkryer.

Alisson mbrojti edhe një tjetër mundësi të mirë, ku Camavinga goditi shtyllën pas një prekje të lehtë të portierit brazilian.

Përpos madrilenëve, edhe Darwin Nunez në anët e Liverpool kishte disa mundësi të mira shënimi, por Courtouis nuk ua lejoi festën.

Në pjesën e dytë, Los Blancos dominuan plotësisht, ku Liverpool nuk krijoi asnjë mundësi të vetme.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 79-të, të cilin e shënoi Karim Benzema, dhe më pas u largua nga loja pas një lëndimi të lehtë.

Në minutat e fundit të ndeshjes, Konstantinos Tsimikas preku topin me dorë, por gjyqtari nuk akordoi penallti dhe i dha fund ndeshjes.

Në anën tjetër, Napoli ka dominuar Eintracht Frankfurt-in, të cilët i ka mposhtur me rezultat 3:0.

Në këtë ndeshje, dy gola u shënuan nga Victor Osimhen, dhe një tjetër Zielinski nga penalltia.

Edhe Napoli kanë kaluar tutje në çerekfinale, ku së shpejti do të mësojnë edhe kundërshtarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore