Sport

Real Madrid, Barcelona dhe Athletic Bilbao ndërmarrin hapa ligjorë kundër La Liga-s


Tre klube nga La Liga, Real Madrid-i, Barcelona dhe Athletic Bilbao kanë filluar hapat ligjorë kundër ligës, raporton “BBC Sport”. Kjo pasi La Liga ra dakord për një investim rreth 2.7 miliardë eurosh, me një fond të huaj.

Marrëveshja investuese ishte mes La Liga-s dhe fondit privat britanik “CVC Capital Partners”. Paratë që do të japë fondi, pra 2.7 miliardë euro, do t’u shpërndahen skuadrave nga La Liga dhe La Liga 2.

Tre klubet e mësipërme nuk ishin dakord për këtë marrëveshje, e cila u finalizua vetëm javën e kaluar.

Në një deklaratë të përbashkët, klubet e quajtën “transaksion të paligjshëm”, duke shtuar se do të shkaktonte “dëm të parikuperueshëm” për futbollin spanjoll.

“Ajo shkel në mënyrë flagrante parimet më elementare të ligjit sportiv spanjoll”, thuhej në deklaratë.

Edhe më herët, klubet kanë qenë kundër kësaj marrëveshjeje.

Real Madrid-i dhe Barcelona e kanë ngritur zërin që në lajmet e para, kur u fol se do të kishte një investim të tillë.

Përveç tre klubeve, kundërshtime për marrëveshjen mes La Liga-s dhe “CVC Capital Partners”-it ka pasur edhe nga Federata Spanjolle e Futbollit dhe kreu i saj, Luis Rubiales.

Megjithesë, La Liga nuk ka bërë pas në veprimet e saj, derisa shkoi në finalizimin e marrëveshjes. Madje liga i është kundërpërgjigjur në disa raste Real Madrid-it, si klubi që i kundërshton më shumë nismat e tyre.

Të premten e kaluar, 37 nga 42 klubet në dy ligat kryesore të Spanjës votuan pro marrëveshjes “Boost La Liga”.

Tashmë “CVC” do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e 8.2% të aksioneve që do të kenë të bëjnë me menaxhimin e të ardhurave nga të drejtat e transmetimit dhe sponsorizimit në La Liga.

Me refuzimet e klubeve të larëpërmendura, marrëveshja ka kapur shifrën e 2.1 miliardë eurove.

“Ky është një moment i ri historik në historinë e La Liga-s dhe klubeve të saj”, tha javën e kaluar Javier Tebas-i, kreu i La Liga-s.

Klubet që nënshkruan marrëveshjen me “CVC”-në ranë dakord të shpenzojnë 70% të fondeve për investime të lidhura me infrastrukturën e re dhe projektet e modernizimit.

Deri në 15% mund të përdoret për transferime lojtarësh dhe 15%-shi i mbetur për uljen e borxhit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore