Lajme

Reagon UNMIK-u: Po ndjekim me shqetësim të madh situatën në Veri, palët urgjentisht të rivendosin qetësinë


Ilustrim

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka reaguar pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Sipas saj Misioni i OKB-së në Kosovës, gjegjësisht e njohur si UNMIK-u, po e ndjek me shqetësim të madh situatën në Veri të Kosovës.

Ziadeh ka bërë thirrje që të gjitha palët në terren të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese duke ndërmarrë hapa urgjente për të rivendosur qetësinë në këtë pjesë të vendit.

“Ziadeh po ndjek me shqetësimin të madh situatën në Veri të Kosovës. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese dhe të ndërmarrin hapa urgjent për të rivendosur qetësinë. Ajo thekson nevojën për të gjetur një zgjidhje brenda kuadrit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftimin e UNMIK-ut në Twitter.

Reagim ndaj situatës së krijuar në Veri të Kosovës, kanë pasur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Top-diplomati amerikan ka dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës.

Sipas tij masat dhunshme të autoriteteve kosovare duhet të ndërpriten menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Në anën tjetër senatori Murphy ka kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të ndalojë në mënyrë të menjëhershëm provokimin, sipas tij, të qëllimshëm të autoriteteve kosovare.

“Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës. Këta zyrtarë kanë të drejtën ligjore teknike për të hyrë në këto ndërtesa. Por pikërisht në këtë moment, me situatën kaq të tensionuar në veri, është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, ka shkruar Murphy në Twitter.

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në këto dy komuna Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Ndryshe në Komunën e Leposaviqit situata është më ndryshe, pasi në disa pika atje janë ngritur tashmë barrikada nga serbët lokal.

Barrikadat, sipas raportimit të mediave, janë vendosur edhe në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Komunës së Leposaviqit.

Serbët në Kosovë kanë shkarkuar edhe zhavorr në njërën anë të rrugës që të shpie te Komuna e Leposaviqit.

Qeveria, pa pajtimin amerikan, e vendosur t’i kthejë objektet komunale në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore