Lajme

Reagon Lista Serbe pasi u arrestua një serb për djegjen e veturave në Veri: “Kurti po shkakton kaos, do të ketë kryengritje”


Lista Serbe ka reaguar dy herë pas arrestimit të një personi të dyshuar për djegje të veturave në Veri të Kosovës dhe për sulme ndaj Policisë së Kosovës, fillimisht nga kjo parti thanë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po shkakton kaos”, ndërsa në reagimin e dytë ishin më të ashpër ku paralajmruan kryengritje të përgjithshme nëse nuk lirohet i arrestuari.

“Regjimi i Kurtit nuk ka zgjidhur asnjë sulm ndaj serbëve deri më tani, nga të cilët ka pasur me dhjetëra, por kur serbët do të persekutohen pa prova, ai vepron urgjentisht”, pretendojnë në reagimin e parë nga Lista Serbe.

Ndërkaq, arrestimin e konsideruan si provokim ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë, dhe këtë sipas tyre para rifillimit të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku me 4 prill në Bruksel pritet të takohen kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, dhe ai serb, Petar Petkoviç.

“Me qëllim të provokimit të reagimit të popullit serb në veri të Kosovës para rifillimit të negociatave në Bruksel, institucionet e Kosovës vazhdojnë të ngacmojnë popullin serb. Në atë kuptim, sot e arrestuan një serb nga Zubin Potoku dhe pa asnjë provë e akuzuan për vepra të rënda penale”.

Përkundër se i arrestuari dyshohet për një mori veprash penale, nga Lista Serbe këtë e konsiderojnë si një përpjekje të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “për të shkaktuar kaos”.

“Është e qartë se qëllimi i tij është të shkaktojë kaos dhe situata në terren thotë se ai nuk është shumë larg kësaj. Kohët e fundit, Prishtina në synimin e saj për të mashtruar opinionin shkon edhe një hap më tej, edhe në rastet kur serbët janë dëmtuar, ai si i dyshuar, i arreston serbët në mënyrë të pajustifikueshme dhe tenton të sprapsë realitetin në terren duke fshehur fajtorët e vërtetë të sulmit ndaj serbëve”.

Për dallim nga reagimi i parë, në të dytin ata ishin shumë më të ashpër dhe me kërcenime të drejtpërdrejta për institucionet e Kosovës.

“Pas mbledhjes së të dhënave për kidnapimin e sotëm të serbit nga forcat speciale te Kurtit duam të theksojmë se serbët paralajmërojnë Prishtinën se në rast se nuk i lirojnë te arrestuarit në mënyrë të pajustifikueshme te cilët njësitet e Kurtit i kidnapuan sot në veri te Kosovës, dhe se nëse nuk ndalen së ngacmuari serbët do të provokojnë reagimin e të gjithë serbëve”, thuhet nga kjo parti.

Përtej kësaj, ata thanë se nuk do të ketë paralajmërime, por se sipas tyre do të ketë kryengritje të përgjithshme nga serbët që jetojnë në Kosovë.

“Të jemi të qartë, nuk do të jetë paralajmërim por kryengritje të përgjithshme për të ndaluar represionin e qytetarëve të pafajshëm nga Albin Kurti”, pretendojnë nga Lista Serbe.

Ndryshe, Policia e Kosovës këtë të shtune ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar për djegjen e veturave në Veri të Kosovës.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale”, thuhet në njoftim.

“I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegjen e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari është i nacionalitetit serb, dhe i njëjti është arrestuar rreth orës 17:00.

“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore”.

Përveç djegjeve të veturave, policia njofton se i dyshuari akuzohet edhe për përfshirje në rastin e sulmit të njësisë së Policisë së Kosovës, “ku si pasojë dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit”.

“Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare””.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se “të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore