Lajme

Reagon Greenpeace: Akuzat ndaj Iranit nga pala izraelite, të pabaza


Organizata Ndërkombëtare Mjedisore Greenpeace ka mbajtur qëndrim ndaj akuzave të Izraelit. Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit të Izraelit, Gila Gamliel, të enjten, pasi konfirmoi derdhjen e naftës shkatërruese në brigjet e Mesdheut, e kurorëzoi si një akt të terrorizmit iranian.

Organizata, e cila ka ndërmarrë hetimin e saj të pavarur mbi ndotjen, i përshkroi akuzat e Gamliel për “eko-terrorizëm” si “të pabaza në këtë fazë”.

Më vonë të enjten, Gamliel mbrojti pretendimet e saj. Në një intervistë për Channel 12 News, ajo tha: “Ishte e qartë se ishte një veprim dashakeq… Ky është një sulm terrorist mjedisor”.

Kur u pyet nga gazetarët për prova të mundshme për të mbështetur pretendimet e saj, Gamliel përsëriti se Izraeli kishte “prova të forta rrethanore”, por nuk arriti të paraqiste ndonjë provë të drejtpërdrejtë.

Greenpeace tha se mënyra e vetme, për të përcaktuar se rrjedhja erdhi nga një anije e veçantë, është përmes testeve laboratorike. Këto të fundit tregojnë nëse përbërja kimike e materialit – në këtë rast, katrani në plazhet e Izraelit – përputhet me atë të naftës që mbante anija.

Ministria izraelite ende nuk ka publikuar rezultate nga ndonjë provë laboratorike, të kryer në katranin e gjetur.

Izraeli po fajëson një cisternë nafte në pronësi të Libisë, Emerald. Ndërsa zyrtarët e Greenpeace pranuan që mund të kishte qenë përgjegjëse për ngjarjen, ata shtuan se atje kishte edhe cisterna të tjera iraniane në zonë.

Organizata gjeti gjithashtu një cisternë, “Rumania”, që i përket një kompanie libaneze dhe u identifikua nga Shtetet e Bashkuara në të kaluarën si një shkelës i dyshuar i embargos ndërkombëtare mbi Sirinë.

Cisterna u vërejt afër zonës ku mendon ministria se ndodhi rrjedhja më 5 shkurt, pak pasi doli nga Kanali i Suezit. Ashtu si Emerald, ajo kishte çaktivizuar sistemin e saj të gjurmimit.

“Cisternat iraniane janë shpesh të pranishme në këtë zonë të detit, kështu që prania e tyre vështirë se përbën prova të një sulmi terrorist”, tha Greenpeace.

Për më tepër, aksidentet ende ndodhin, edhe pse shumica e cisternave kanë pajisje mbrojtëse që kanë ulur shumë numrin e derdhjeve të naftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore