Shqipëria

Reagon deputetja e PD-së: Frytet e përçarjes i morëm, lidershipi i opozitës duhet të tërhiqet


Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas saj, frytet e përçarjes gati dy vjeçare u morën të dielën, me disfatë në bastione dhe humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive.

Mijëra demokratë, sipas Çupit, qëndruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës. Kurse të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës.

“Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka vijuar duke thënë se demokratët nuk duhet të sakrifikohen më për interesa personalë të askujt.

“Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën”, ka theksuar ajo.

Çupi ka theksuar ndër të tjera se është koha për  t’i lënë vend arsyes.

“Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq!”, ka përmbyllur ajo postimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore