Sport

Reagojnë tifozët “Kuq e Zi” pasi u largua fotografia e Adem Jasharit nga stadiumi “Air Albania”


Të dielën Kombëtarja e Shqipërisë luajti përballë Kombëtares së Anglisë, në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Anglezët shënuan fitore me rezultat 0:2, teksa golat u shënuan nga Harry Kane dhe Mason Mount.

Para fillimit të ndeshjes tifozët “Kuq e Zi” vendosën në shkallët e stadiumit “Air Albania” një baner me mbishkrimin “Me sytë dhe zemrën te ju”.

Afër këtij baneri tifozët kishin vendosur edhe fotografitë e pesë heronjve kombëtar, në mesin e tyre edhe komandanti legjendar, Adem Jashari.

Por, para se të fillonte ndeshja, vetëm fotografia e Adem Jasharit u largua nga shkallët e stadiumit, pasi UEFA kishte kërkuar që të largohej kjo fotografi, ndryshe nuk do të zhvillohej ndeshja.

Lidhur me këtë ngjarje, tifozët “Kuq e Zi” reaguan në faqen e tyre zyrtare në facebook, duke e quajtur këtë ngjarje si të shëmtuar.

Gjithashtu ata thanë se nuk e dinë se cila është arsyeja që UEFA-s lidhje me këtë ngjarje, por ata thanë se fotografia e Adem Jasharit do të jetë në çdo ndeshje, deshën apo nuk deshën UEFA.

“Luftërat kanë mbaruar dhe ne jemi për paqe, por mesa duket lobimi serb ka punuar aq fort në UEFA, sa për ta larguar tmerrin e tyre, Adem Jasharin nga stadiumi” shkruhet në postimin e faqes zyrtare të tifozave “Kuq e Zi”, në facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore