Zgjedhjet në Kosovë

Reagimet pas vizitës së Albin Kurtit në Skenderaj


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të hënën pasdite vizitoi qytetin e Skenderajt.

Përgjatë ecjes nëpër sheshin kryesorë të këtij qyteti, ai shihet i shoqëruar nga forca policore të Njësisë Speciale.

Menjëherë pas kësaj vizite, ka reaguar dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, të cilët këtë aktivitet të Kurtit e quajtën provokues për banorët atje.

Dega e PDK-së në Skenderaj e konsideron të papranushme vizitën e Albin Kurtit ne Skenderaj shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Vizitat dhe aktivitetet e Albin Kurtit në këtë formë, janë plotësisht të papranueshme, pasi te qytetarët e Skenderajt dhe Drenicës ngjallin kujtime të kohëve të errëta për Skenderajn dhe Drenicën”.

“Kjo vizitë e blinduar kishte për qëllim provokimin e qytetarëve të Skenderajt dhe viktimizimin e mëtutjeshëm të Albin Kurtit me qëllim të përfitimit elektoral në prag të zgjedhjeve. Vizita e Kurtit sot në Skenderaj u realizua shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjë që nuk ndodhi para pak ditësh në veri të Mitrovicës. Pse ndodhi kështu?” thuhet në reagimin e PDK-së dega në Skënderaj

Pas kësaj vizite ka reaguar edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Përmes një statusi në Facebook Lladrovci është shpehur se ndjen keqardhje për realizimin e kësaj vizite të përcjellur nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

“Me keqardhje, mësova se z. Kurti ka zbarkuar në Skenderaj i shoqëruar me forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Sa i takon mikpritjes, Drenica është e mirënjohur dhe jo ai, po kushdo qoftë, ka qenë dhe është i mirëseardhur. Por, kurrë, as ka duruar as duron provokime, aq më pak, nga prania e Njësisë së Policisë tonë, Policisë së Kosovës, madje edhe me armë të gjatë”, ka shkruar ai.

Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së Ganimete Musliu, e ka quajtur ‘psikopat’ Albin Kurtin.

“Albin Kurti nuk kursen asnje mjet per të arritur ne pushtet. Sjellja e tij në Skenderaj është vetëm fillimi sepse ky psikopat nuk kursen as jetën e njeriut për spektaklet e tij politike. Albin po të mungojnë vetëm edhe martirët e tu elektoral.  Albin sjelljet tua tregojnë se të ka kapë paniku nga sovrani”, ka shkruar Musliu

Më tutje ajo ka shtuar se për të ardhur në Drenicë, duhet të frigohen vetëm kriminelët serb.

“Albin mos u tut me ardhë në Drenicë. Në Drenicë duhet të tuten vetëm kriminelët e Serbisë”.

“Ti nëse e konsideron vetën shqiptar s‘ke nevojë me u tutë nga Drenicasit.  Ankthi që ti duhet ta kesh nga kjo trevë është një JO e madhe me 14 shkurt 2021. Kjo JO është shigjeta e vetme që do të t‘godasi ty more qyreavec i Facebookut”, ka shtuar Musliu.

Vec njërëzve të PDK-së, reagim ka pasur edhe nga kreu i LDK-së.

Isa Mustafa ka thënë që Kosovës nuk i ka hije të mbajë zgjedhje nën tytat e armëve.

Zgjedhet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale… zgjedhe nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!? Zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje. Askush s’është i pari nëse duhet të barrikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre.” Ka shkruar Isa Mustafa

Poashtu ka shtuar se dhuna prodhon dhunë, e më së paku demokraci.

“Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës.  Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje. Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo popullizëm i shfrenuar!”

Në një video të publikuar të hënën në mbrëmje, shihen qytetarët e Skënderajt të cilët brohorisnin “[Hashim] Thaci, UCK-UCK”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore