Lajme

Reagimet kundër masave të reja të Qeverisë së Kosovës


Numri i lartë i rasteve me COVID-19 ka bërë që Qeveria e Kosovës të mblidhet për të shqyrtuar masat e reja kundër pandemisë.

Në mbledhjen e mbajtur nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij, janë vendosur masa të reja.

Pas mbledhjes së mbajtur dhe vendosjes së masave të reja kundër Coronavirusit, janë shfaqur disa reagime.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se janë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, për pezullimin e punës për një periudhë 12 ditore për gastronominë.

Ai në një shkrim në Facebook ka thënë se “nëse nuk ka mbështetje financiare për bizneset dhe plan të qartë se çka do të bëhet pas këtyre ditëve të kufizimit, bizneset do të rrisin rezistencën në zbatimin e çdo mase anti-COVID”.

Tutje ai ka shkruar se pa vaksinim masiv “nuk ka kthim në normalitet e as rimëkëmbje ekonomike”.

Sipas tij sektori privat “është kurban i degradimit të fushatës zgjedhore”.

Një reagim tjetër është bërë edhe nga ana e Shoqatës së Gastronomëve, ku kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, ka thënë se “nuk përjashtohet mundësia e protestave nëse nuk arrihet marrëveshja me Qeverinë”.

Ai tutje ka theksuar se për këto 11 ditë, do të kërkojnë subvencionime të pagave dhe sipas tij “më mirë është të funksionojë  gastronomia e të qarkullojë paraja se të sanksionohen bizneset”.

“Edhe një herë, politika shkakton dëm kurse gastronomia paguan faturën”, ka shkruar ai.

Kundër masave të reja nga qeveria dhe ministria e shëndetësisë, qëndron edhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, mësimi në institucionet Universitare do të mbahet tërësisht në formë online që nga data gjashtë deri më 18 prill.

Në vendimin për masat e reja kundër COVID-19, është vendosur gjithashtu që të pezullohen konviktet dhe menza e studentëve, vendim për të cilin Parlamenti Studentor është kategorikisht kundër.

“Jemi kundër mbylljes së konvikteve, sepse konsiderojmë se qëndrimi i vetëm një studenti në dhomë nuk sjellë rrezikshmëri të madhe, ndërkaq studentët mund të ushqehen me opsionin MERR ME VETE (takeaway)”, shkruhet në njoftim.

Tutje në këtë njoftim thuhet se institucionet përgjegjëse nuk janë konsultuar fare me përfaqësuesit e studentëve dhe Qendrën e Studentëve, “gjë që do të duhej bërë për të marrë vendime të tilla”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore