Gatimi

Ravioli me spinaq, jo vetëm e shëndetshme


Përgatisni këto ravioli shumë të thjeshtë dhe të shijshëm në më pak se 30 minuta. Mbushur me djathë, spinaq dhe erëza, kjo recetë është një zgjidhje fantastike dhe e shëndetshme për të shijuar makarona pa mish.

Kjo recetë rekomandohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 300 gr brumë paste, 100 gr gjalpë, 100 gr djathë kaçkavall ose i bardhë (sipas dëshirës),50 gr domate të thara, 300 gr spinaq, 2 qepë të njoma, kripë, piper, 1 e verdhë veze, pak kopër, pak mendërz, 1 kërcell rozmarinë, 1 kërcell trumzë (thimo).

Përgatitja

Nisim me përgatitjen e mbushjes së raviolit. Fillimisht lajmë spinaqin dhe qepët. I grijmë hollë dhe i kalojmë për pak minuta në tigan.

Pasi i kemi gatuar pak në tigan, i kalojmë në një enë tjetër ashtu të ngrohta. Shtojmë djathin, koprën, mendërzën dhe domatet e thara. I përziejmë mirë dhe i lëmë mënjanë që të marrin shijen e njëra-tjetrës.

Nisim me përgatitjen e raviolit. Hapim brumin dhe e presim në katrorë ose rrethorë me diametër rreth 5 cm.

Në qendër të një katrori/rrethori vendosim një masë nga mbushja e raviolit.

I lyejmë anët me pak ujë ose me të verdhën e vezës. Sipër tij vendosim një katror/rrethor tjetër dhe e mbyllim brumin me kujdes.

Vendosim raviolit e përgatitura në ujë të vluar dhe të bollshëm. I lëmë të ziejnë për 4 minuta.

Në një tigan përgatisim salcën. Marrim një garuzhdë ujë dhe shtojmë rozmarinë, trumzë (thimo), gjalpë dhe djathë. Kujdesemi që të krijohet një salcë e lidhur mirë dhe vendosim në të ravioli.

I lëmë të ziejnë për 4-5 minuta të tjera dhe ravioli janë gati për t’u shijuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore