Lajme

Rasti “Subvencionet”, njëri nga të akuzuarit obligohet t’i kthejë 110 mijë euro


Aksioni i Policisë së Kosovës “Subvencioni 2021”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, të enjten ka dënuar me gjashtë muaj burgim të akuzuarin F.M, për veprën penale mashtrim me subvencione.

Sipas njoftimit të gjykatës, me propozimin dhe pajtimin e palëve, pjesa e mbetur e dënimit i zëvendësohet në dënim me gjobë 5 mijë euro, ndërsa koha e kaluar në paraburgim prej 30 qershor të vitit 2021 deri më 12 nëntor të këtij viti i llogaritet në dënimin me gjobë të shqiptuar.

“Të akuzuarit i konfiskohet shuma e mjeteve në vlerë prej 27 mijë euro, ndërsa obligohet që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të paguajë shumën totale prej 109.520 euro”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Me 3 dhjetor, Policia e Kosovës ka realizuar një aksion si vazhdimësi e aksionit “Subvencione 2021”, që kishte filluar në muajin shkurt.

Edhe, më 30 qershor, Albanian Post, kishte raportuar për vazhdimin e aksionit “Subvencioni 2021”.

“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme”.

Në muajin shkurt të këtij viti, ishin arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.

Skandali me subvencione në Bujqësi deri  në shkurt të vitit 2021 kishte çuar në arrestimin e mbi 20 personave zyrtarë që dyshohen për ryshfet dhe rreth 400, mijë euro të sekuestruara.

“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar: 433,160.00 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8  vetura, 1 kompjuter, 5 armë, 1  USB dhe 1 vulë”, është thënë në njoftimin e Policisë një ditë pas aksionit të zhvilluar në disa qytete të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore