Shqipëria

Raportuesja për Shqipërinë vlerëson ecurinë e reformave


Parlamenti Evropian (PE) voton sot, më 25 mars 2021, “Raportin e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për vitet 2019-2020”.

Raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos, mbajti një konferencë për shtyp, ku prezantoi qasjen e PE-së ndaj raportit dhe amendimet në prag të votimet.

Ajo theksoi edhe një herë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Santos konfirmoi mbështetjen e Parlamentit Evropian për mbajtjen sa më shpejt të konferencës së parë ndërqeveritare.

“Reformat e arritura nga Shqipëria janë shumë domethënëse. Në kushte ekstremisht të vështira janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme. I takon Komisionit dhe Këshillit të japë përgjigjen ndaj përpjekjeve që kanë bërë shqiptarët, si njerëzit, edhe institucionet”, tha Santos, teksa argumentonte qëndrimin vlerësues.

Raportuesja pranoi se është e nevojshme të punohet me reformat dhe kushtet e tjera që duhet të përmbushë Shqipëria. Megjithatë, sipas saj, kjo duhet të ndodhë me hapje e negociatave në konferencën e parë ndërqeveritare.

Gjatë konferencës, Santos dha dy mesazhe të rëndësishme. Një drejtuar Shqipërisë e shqiptarëve, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, dhe një tjetër Këshillit e Komisionit Evropian.

“Pas zgjedhjeve, ju bëj thirrje për diskutime konstruktive, të cilat duhet të rezultojnë në reforma të mëtejshme e ndryshime të Kodit Zgjedhor. Të gjitha palët e përfshira duhet të japin kontributin e tyre për unitetin kombëtar, si dhe të fokusohen në çështjet thelbësore për vendin”, tha ajo lidhur me zgjedhjet.

Santos-i, drejtuar Komisionit, dhe veçanërisht Këshillit tha se pret një “Po” ndaj Shqipërisë. Kjo, si një shenjë, për të vlerësuar përpjekjet dhe për të vijuar bashkërisht rrugën e integrimit.

“Është në interesin e të gjitha vendeve anëtare në Këshill, që t’i lënë mënjanë interesat e vendeve dhe të familjeve të tyre politike, e të bëhen bashkë për t’u fokusuar mbi çfarë është vërtet  thelbësore. E rëndësishme është ‘po-ja’ ndaj Shqipërisë”, tha ajo.

Santos u ndal edhe te shqetësimet për kushtet e papërmbushura në drejtim të ligjit të antishpifjes dhe ndikimit në lirinë e medias. Gjithashtu foli edhe për proceset gjyqësore ndaj politikanëve të lartë për shitblerjen e votës, si dhe aktet nënligjore për çështjet e minoriteteve.

Ajo mbrojti arritjet e Shqipërisë në tre çështjet e mësipërme.

Sipas saj, ato janë delikate. Institucionet e BE-së po i monitorojnë nga afër, ndonëse arritjet e deritanishme janë të mjaftueshme e duhen marrë në konsideratë. Asnjë nga çështjet nuk përbën justifikim për shtyrjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Roma nuk është ndërtuar në një ditë. Ka akoma shumë rrugë përpara për t’u përshkuar dhe ajo duhet të nisë me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, përmbylli Santos-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore