Shqipëria

Raporti i KE-së: Autoritetet shqiptare të caktojnë organe zyrtare përgjegjëse për dhunën ndaj grave


Raporti i fundit i publikuar nga Komiteti i Palëve për Konventën e Stambollit pranë Këshillit Evropian, ka udhëzuar autoritetet shqiptare që të themelojnë ose caktojnë organe zyrtare përgjegjëse për dhunën ndaj grave ose në familje.

Kjo e fundit, sipas KE-së, duhet të merret me koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave kundër këtij fenomeni.

Pra, këto struktura duhet të kenë kompetenca vendimmarrëse për të ushtruar funksionet e tyre.

Më tej, grupi i ekspertëve evropianë për veprim kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO), këshillon qeverinë shqiptare që të zgjerojë financimet dhe burimet njerëzore në nivel ministrie.

Këto duhet të përfshijnë edhe sigurimin e niveleve të qëndrueshme të financimit për OJQ-të (Organizata joqeveritare) e grave.

Një pikë tjetër e renditur në raportin e publikuar më 9 dhjetor është edhe forcimi i mbledhjes së të dhënave dhe sigurimi i zbatimit të ligjit.

Sektori i drejtësisë penale, sipas vërejtjeve të GREVIO-s, është ai i cili duhet të mbledhë të dhëna për të gjitha format e dhunës ndaj grave, përtej dhunës në familje.

Sigurimi i tarifave që lidhen me vlerësimin e detyrueshëm psikologjik duhet marrë në konsideratë gjithashtu, cilëson në vijim raporti.

Ai vë theksin edhe te futja e urdhrave të ndalimit ose mbrojtjes për viktimat e të gjitha formave të dhunës ndaj grave përveç dhunës në familje.

Në përmbyllje të rekomandimeve, sillet në vëmendje edhe ndryshimi i përkufizimit të përdhunimit dhe dhunës seksuale për ta përafruar atë me kërkesat e nenit 36 të Konventës.

Notat pozitive

Autoritetet evropiane kanë përshëndetur ngritjen e qendrës së parë të referimit të dhunës seksuale në Shqipëri.

Kjo mundësohet në ambientet e spitalit që ofron disa shërbime mbështetëse emergjente dhe afatshkurtra.

Në të përfshihen kujdesi shëndetësor, shërbimet mjeko-ligjore, mbështetja psikologjike, ndihma ligjore, si dhe ushqimi apo strehimi për viktimat e marrëdhënieve seksuale ose
dhunës.

Më tej, GREVIO vlerëson edhe ngritjen e organeve të reja institucionale për të adresuar dhe vlerësuar politikat për dhunën kundër grave.

Mund të përmendim këtu Nënkomisionin Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës kundër grave apo Zyrën për Koordinimin e Luftës kundër Dhunës në Familje në Ministrinë e Drejtësisë.

Krijimi i Mekanizmave të Koordinuar të Referimit, në të 61 bashkitë është një notë tjetër pozitive sipas raportit.

Rritja e ndjeshme në numrin e vendimeve gjyqësore që i referohen shprehimisht Konventës dhe në ndjekjet e suksesshme të dhunës në familje ka marrë aprovimin e GREVIOS-s.

Sa i takon rangjeve institucionale, autoritetet evropiane kanë vlerësuar hapat pozitive të Ministrisë së Drejtësisë për mbledhjen e të dhënave shtesë për dhunën në familje.

Kjo, duke përfshirë edhe zbërthimin e këtyre të dhënave sipas marrëdhënieve ndërmjet viktimës dhe dhunuesit

Lidhur me financimin, Komiteti i Palëve, përmend rritjen e fondeve të vëna në dispozicion për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.

Nga ana ligjore, Këshilli aprovon edhe ndryshimet e vitit 2018 në ligjin 9669/2006.

Ajo i referohet vlerësimit të urdhrave të mbrojtjes, të cilët duhet të jenë lëshuar ose urdhëruar për të mirën e fëmijëve.

Në përmbyllje të notave pozitive, GREVIO, përmend edhe miratimin e ligjit “Për ndihmën juridike falas të ofruar nga shteti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore