Kosova

Raporti i GI: Ballkani Perëndimor rajon kontrabande emigrantësh dhe droge


Ballkani Perëndimor paraqitet si rajoni kryesor në kontrabandën e emigrantëve ilegalë drejt Bashkimit Evropian dhe prodhimin e drogave nga lindja në perëndim.

Kështu thuhet në raportin e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacionale, e cila është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare me një rrjet të praktikuesve të zbatimit të ligjit, qeverisjes dhe zhvillimit, të cilët “janë të përkushtuar në kërkimin e strategjive dhe reagimeve të reja dhe inovative ndaj krimit të organizuar”.

“Ky raport hedhë dritë mbi fluksin e madh të emigrantëve nëpër Ballkanin Perëndimor dhe në çmimet që ata paguajnë për t’u kontrabanduar”, thuhet në njoftimin e iniciativës GI.

Po ashtu, në këtë raport shpjegohet “funksionimi i pastrimit të parave në rajon si në pjesën e pastrimit të sasive të vogla në ekonominë informale ashtu edhe në vëllime të gjeneruara nga krimi i organizuar serioz dhe korrupsioni në shkallë të gjerë”.

Nga të dhënat e këtij raporti thuhet se numri i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri është rritur nga një mijë e 978 në vitin 2013 në 11 mijë e 971 në vitin 2020.

“Kjo rritje është bërë veçanërisht nga viti 2018, kur u bë më e vështirë për të kaluar azilkërkuesit dhe migrantët nga Greqia në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në raport.

Raporti investigativ i GI vë në dukje që “vlera totale e tregut të kontrabandës së emigrantëve ilegalë në pikat e hyrjes në vendet e BP arrin nga 20 në 28 milionë Euro”.

Të dhënat e GI në raportin në fjalë tregojnë që pandemia COVID-19 gjatë vitit 2020 nuk i uli flukset e emigrantëve dhe azilkërkuesve në BP, përkundrazi i rriti ngaqë kufizimet rritën stimujt financiarë të kontrabandës.

Emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit që hynë në gjashtë vendet e BP janë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut si Siria, Iraku, Irani, Pakistani Afganistani, Algjeria dhe Bangladeshi.

Ndërkaq, azilkërkuesit dhe emigrantët hyjnë në Kosovë në afërsi të pikave kufitare në Vërmicë dhe në Han të Elezit.

“Kontrollet e rritura të kufirit kanë shkaktuar një ndryshim duke bërë që emigrantët të drejtohen drejt qytetit të Vushtrrisë. Nga atje marrin taksi për në qytetin e Mitrovicës dhe më pas nisen drejt Suboticës në Serbi”, vijon raporti.

Vendet e BP mbeten një rajon i madh tranziti për trafikimin e drogave. Droga më e përdorur dhe më e sekuestruar në Ballkanin Perëndimor është kanabisi.

Të dhënat e mbledhura nga raportet vjetore të Policisë së Ballkanit Perëndimor, tregojnë sasinë e kapur të kanabisi dhe drogave të tjera në vitin 2019.

Në bazë të statistikave, Kosova është vendi i fundit në listë me më pak sasi të sekuestruar duke e lënë pas Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia duke kryesuar lë pas Shqipërinë si vendin e dytë me më së shumti sasi të drogave të kapura nga policia.

Sasia e kanabisit dhe drogave të tjera të kapura në vitin 2019

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore