Lajme

“Raportet me SHBA-të s’duhet të jenë me korrespodencë dhe me episode”


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj

“Raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të jenë me korrespodencë dhe me episode”.

Kështu është shprehur, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

Kryeministri Kurti, qysh në kohën e arritjes së marrëveshjes së katër shtatorit në Uashington, ishte shprehur kritik ndaj marrëveshjes përfshirë edhe çështjen e Ujmanit.

Ai më 30 qershor, në një konferencë për media, pati deklaruar se “qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta”.

Ndërsa, Selmani ka thënë se kryeministri Kurti kur duhet të sillet me përgjegjësi të larta shtetërore për të zbatuar zotimet e përbashkëta me Amerikën, “fut kokën në rërë dhe dërgon vendin në labirinthe me shumë të panjohura”.

“Asnjë lëvizje dhe asnjë veprim të vetëm nga qeveria Kurti për ta zbatuar këtë marrëveshje. Kurti në vazhdimësi ka shprehur qëndrimet se nuk do e respektojë dhe zbatojë këtë marrëveshje se kjo marrëveshja na qenka kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik, se kjo marrëveshje paraqet ‘dëm, turp dhe rrezik për Kosovën’,se nuk ka vlerë juridike se nuk është sjellë për ratifikim në Kuvend, se mungon nënshkrimi i Presidentit Trump, se na u nda Kosova e na shkoi Ujmani?”.

Për marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2020 nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, Selmanaj ka thënë se “është në dobi për shtetin e Kosovës në shumë dimensione”.

“Në dimensionin ekonomik: investime infrastrukturore në rrugë, hekurudha, nxitje të investimeve amerikane për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shumëfishimin e burimeve të energjisë përmes rrjetit të gaz sjellësit; Në dimensionin e fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtarë: njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, pas një periudhë të gjatë pa asnjë njohje për shtetin e Kosovës”.

“Në dimensionin e bashkëpunimit rajonal: Operacionalizimin e pikës së përbashkët kufitare në Merdare që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, bashkimi në iniciativa për bashkëpunim ekonomik rajonal, njohja e diplomave dhe certifikatave profesionale. Rëndësi të veçantë kjo marrëveshje i kushton edhe çështjes së të pagjeturve ku te dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, sa ishte në detyrë Qeveria Hoti, “në të gjitha pikat e kësaj marrëveshje ka pasur lëvizje dhe janë bërë hapa konkret për realizimin e saj”.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më katër shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Në kuadër të zotimeve të nënshkruara më katër shtator në Uashington, Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore