Lajme

“Rampage” Gërvalla – ministrja demanton të gjithë, Kurtin, Osmanin, Gjermaninë, Francën, SHBA-të, BE-në, OKB-në…


Donika Gervalla

Për 25 minuta pa u ndalur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raportoi me fjalë hyrëse në seancën e fundit parlamentare për Marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve dhe për pajtimin rreth aneksit të implementimit të 11 neneve të marrëveshjes.

Më pas, në një numër të madh replikash, ri-argumentojë edhe arritjen e marrëveshjes edhe benefitet që dalin nga nenet.

Jam i bindur që Marrëveshja e re sjell një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar”, tha Kurti dhe shtoi se “ia vlen mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme”, derisa vazhdimisht i referohej si marrëveshje asaj çfarë ka ndodhur në Bruksel e Ohër.

As 25 orë më vonë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për Diário de Notícias, gazetën më të madhe në Portugali, e demantoi Kurtin duke deklaruar se në fakt me Serbinë s’është arritur marrëveshje.

“E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë”, deklaroi ajo pikërisht të kundërtën e asaj që Kurti pohonte në Kuvendin e Kosovë.

Marrëveshjen si të arritur e ka konsideruar edhe Bashkimi Evropian dhe e ka publikuar si dokument zyrtar në faqen e BE-së. Marrëveshje është edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, i ka përgëzuar palët për arritjen.

 

Por, Gërvalla thotë ndryshe.

“Nga ana jonë, ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancitë që partnerët dhe aleatët tanë – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht Serbia nuk ishte gati për këtë”, pohoi Gërvalla duke iu referuar mos-nënshkrimit të dokumentit.

“Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kohëve të ndryshme dhe më pas, kur afrohet firma, refuzojnë”, pohoi krye-diplomatja.

BE, por edhe SHBA-të edhe para takimit në Ohër me 18 mars janë deklaruar se në fakt nuk po kërkojnë tashmë nënshkrim, por vetëm pajtim për nenet e aneksin e zbatimit.

Kaq mjafton për marrëveshje dhe janë caktuar edhe hapat implementues. Megjithatë, Gërvalla nuk e sheh si të tillë dhe ka kritikë për BE-në dhe sjelljen e evropianëve.

“Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”, deklaroi pos tjerash.

Përkundër deklarimit të Gërvallës, Marrëveshja e ngjizur me 27 shkurt me 11 nene dhe e përforcuar me 18 mars përmes Aneksit me 12 pika, “është ligjërisht e obligueshme”, ka deklaruar Kurti.

Si marrëveshje të vlefshme, pos Kurtit dhe ndërkombëtarëve, e ashtuquajtura Marrëveshja Bazë, është njohur dhe pranuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shtetet kryesore perëndimore si Gjermania, Franca, Italia dhe institucione të tjera ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore