Muzikë

Ramë Lahaj me koncert në Dubai për Ditën e Pavarësisë së Kosovës – biletat për kosovarët janë falas


Ramë Lahaj - Tenor

Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj do ta festojë në Shtetet e Bashkuara Arabe, duke mbajtur një koncert në Dubai, ndërsa biletat për qytetarët kosovarë dhe atdhetarët, që duan të marrin pjesë në këtë shfaqje kulturore, janë falas.

Lajmin e ka bërë të ditur, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari – e cila, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kosova do të prezantohn në ekspozitën botërore “EXPO 2020 DUBAI”.

Fotografi e publikuar në Facebook nga Rozeta Hajdari.

“Për ti dhënë akoma më shumë vlerë kësaj paraqitje, tenori ynë i skenave ndërkombëtare njëherësh dhe Ambasadori i Kulturës, Ramë Lahaj do të mbajë koncert në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2022 në Amfiteatrin Milenium në Dubai, prej orës 21:30 (18:30 – zona kohore e Kosovës)”, thuhet në njoftim.

“Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ‘EXPO 2020 Dubai’ me 17 shkurt 2022”, thuhet më tej në njoftim.

Mes tjerash, Hajdari, ka njoftuar se pos koncertit të Lahajt, në Dubai do të ketë paraqitje skenike edhe Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”.

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”.

“Ndërsa ceremoninë zyrtare të intonimit të himneve, e ngritjes së flamurit tonë, fjalimet përshëndetëse dhe paraqitjen e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “SHOTA”, mund ti ndiqni prej orës 16:00 ( 13:00 – zona kohore e Kosovës), në të njëjtën ditë 17 Shkurt, në Al Was Plaza në Dubai”, bëri të ditur ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore